Autoritetet lokale në kryeqytetin e Spanjës si duket janë lodhur nga numri i madh i papagajve në qytetin e tyre të bukur. Më saktësisht, ata kanë dalë kundër papagajve të gjelbër dhe foleve të tyre të mëdha, të cilat po vlerësohen si të rrezikshme.
Këshilli i qytetit ka njoftuar se ka bërë plan që ta zvogëlojë numrin e këtyre papagajve pasi një hulumtim i ri dëshmoi se numri i tyre është rritur nga 9 mijë në 12 mijë në tre vjetët e fundit. Në vitin 2005, në Madrid jetonin vetëm 1700 zogj të tillë.
Ndonëse këta zogj janë autoktonë në Argjentinë, shumë prej tyre u sollën në Spanjë për t’u shitur si shpezë shtëpiake para se mbajtja e tyre të ndalohej me ligj para tetë vjetësh.
Autoritetet lokale të Madridit thonë se numri i tyre duhet të kontrollohet, sepse papagajtë po garojnë me speciet tjera për ushqim dhe po e dëmtojnë mjedisin përmes copëtimit të bimëve, të cilat i përdorin për t’i ndërtuar foletë e tyre të mëdha.
Zyrtarët gjithashtu thanë se ata paraqesin rrezik për shëndetin publik, sepse mund të transmetojnë sëmundje të ndryshme. Një problem tjetër është edhe madhësia e çerdheve të tyre, të cilat mund të peshojnë deri në 200 kilogramë dhe mund t’i rrezikojnë njerëzit.
Këshilli tha se i ka marrë 197 ankesa nga qytetarët për shkak të papagajve nga janari deri në gusht të këtij viti, ndërsa 218 të tilla gjatë vitit të kaluar, shkruan “The Guardian”.