Danimarka lejon që projekti Rrjedha Veriore 2 të shtrihet në ujërat e saj territorialë

Evropë

Danimarka lejon që projekti Rrjedha Veriore 2 të shtrihet në ujërat e saj territorialë

Më: 30 tetor 2019 Në ora: 15:11
Punimet në Detin Baltik për projektin, Rrjedha Veriore 2.

Agjencia e Energjisë së Danimarkës ka dhënë leje që projekti i tubacionit Rrjedha Veriore 2, të kalojë përmes ujërave danezë, në mënyrë që gazi natyror i Rusisë të dërgohet drejtpërdrejt në Gjermani, përmes Detit Baltik.

Miratimi i Kopenhagës për këtë projekt që kalon në ujërat danezë largon pengesën e fundit për ndërtimin e tubacionit, i cili ka krijuar ndasi në Bashkimin Evropian dhe është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara.

Projekti i tubacionit është dënuar nga Uashingtoni dhe disa shtete të Evropës, të cilat kanë argumentuar se përmes këtij plani do të rritet varësia e Evropës ndaj Rusinë.

Agjencia Daneze e Energjisë ka thënë më 30 tetor se ka siguruar leje për ndërtimin e tubacionit 147 kilometra të gjatë.

Kompania shtetërore e gazit në Rusi, Gazprom, ka kompletuar pothuajse 90 për qind të projektit Rrjedha Veriore 2.

Mirëpo nga prilli i vitit 2017 është në pritje të vendimit nga autoritetet daneze të cilat kanë vonuar përgjigjen.

Në muajin qershor, Gazpromi ka thënë se tubacioni në vlerë të 11 miliardë dollarëve do të dërgojë 55 milionë metra kubë të gazit brenda vitit në Gjermani.

Ky projekt pritet të përfundojë në fund të vitit 2019.

Sipas ligjit të Danimarkës, punimet mund të nisin pas një muaji.

Kjo pasi ligji ofron mundësinë e apelimit të vendimit për katër javë, pas marrjes së vendimit.

Një zëdhënës për projektin Rrjedha Veriore 2, ka thënë se janë njoftuar me vendimin e Danimarkës dhe se janë të kënaqur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat