Franca përballet me greva masive të punëtorëve - Bota Sot
Franca përballet me greva masive të punëtorëve

Evropë

Franca përballet me greva masive të punëtorëve

Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 12:00
Foto ilustrim

Një pjesë e madhe e fuqisë punëtore të Francës, përfshirë gjenerata të ndryshme, do të futet në grevë të enjten për të protestuar kundër planit të qeverisë për ta ndryshuar sistemin e pensioneve.

Duke u bashkuar në Paris, ata synojnë ta shprehin zemërimin ndaj propozimit për reforma, të cilat presidenti Emmanuel Macron i sheh si të nevojshme për ta bërë sistemin pensional financiarisht të qëndrueshëm.

Vincent Le Faucheur, 23 vjeç, do të protestojë bashkë me dajën e tij 41-vjeçar, Gilles Pierre. Të dy këta burra punojnë në hekurudhat e Francës dhe janë të gatshëm për grevë të pakufizuar që do të mund ta paralizonte ekonominë në nivel kombëtar për ditë e madje javë të tëra.

“Më të vjetrit kanë luftuar për ne. Është normale që ne të luftojmë për veten tonë dhe për gjeneratat tona të ardhshme. Do të jetë vështirë, por nëse jemi detyruar ta bëjmë këtë, do ta bëjmë”, tha Le Faucheur.

Dalja në pension është ende larg për këta punëtorë, por i riu thotë se dëshiron të solidarizohet me dajën e tij, i cili ka punuar si vozitës i trenit për 11 vjet. Ata po kërkojnë që qeveria të heqë dorë nga plani i saj.

Në këtë grevë kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë edhe punëtorët e spitaleve publike dhe policia.

Këta punëtorë të sektorit publik po e kundërshtojnë planin për rritjen e moshës së pensionimit, shkruan “Associated Press”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat