Liderët evropianë mund të kenë rënë dakord për buxhetin e BE-së dhe paketën e rimëkëmbjes post KOVID-19, pas bisedimeve maratonë të zhvilluara në fillim të javës.
Por çështja nuk është mbyllur me kaq. Draftet janë kontrolluar me imtësi të enjten në Parlamentin Evropian, ku plot 465 euro-deputetë votuan në favor të rezolutës që kërcënon të pezullojë mbështetjen e liderëve për marrëveshjen.
Parlamenti do ta përdorë votimin si një mandat për t’u përpjekur për ta përmirësuar marrëveshjen.
Ligjvënësit evropianë nuk janë të kënaqur me përbërjen e fondit të rikuperimit, në aspektin se sa për qind e tij do të jepet në formë granti dhe sa në formë huaje.
Ndërsa sa i takon buxhetit të periudhës 2021-2027, ata shprehën shqetësime për shkurtimin e shpenzimeve për programet e orientuara drejt së ardhmes.