Po vjen gjermani: Përpjekja e fundit e kancelares Merkel për të zgjidhur nyjën gordiane në BeH

Evropë

Po vjen gjermani: Përpjekja e fundit e kancelares Merkel për të zgjidhur nyjën gordiane në BeH

Nga: D.G. Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 11:49
Christian Schmidt

Jo vetëm se bashkësia ndërkombëtare nuk ka ndërmend të shfuqizojë funksionin e përfaqësuesit të Lartë të saj në Bosnjë-Hercegovinë, siç kërkohet nga anëtari serb i Kryesisë së BeH-së Milorad Dodik, por ky pozicion së shpejti mund të forcohet me ardhjen e një përfaqësuesi të Lartë të ri për të zëvendësuar diplomatin austriak Valentin Inzko, i cili kaloi vjet në këtë pozicion. Inzko duhet të pasohet nga politikani konservator gjerman Christian Schmidt nga CSU-ja dhe ky ndryshim duhet të shënojë fillimin e një angazhimi më të fortë të bashkësisë ndërkombëtare në rregullimin e situatës në BeH, në çka Gjermania duhet të luajë një rol të veçantë, shkruan "Vecernji.hr".

Nevojitet "politikë e fortë"

Sipas Inzkos, Schmidti duhet të drejtojë "përpjekje të intensifikuara" për të hequr bllokadat që kanë penguar çdo përparim në BeH për vite me rradhë. 

- Mendoj se tani do të ketë një kthim dhe një angazhim më të madh të Gjermanisë dhe do të jetë për të mirën e BeH-së dhe Ballkanit - tha Inzko në një intervistë me FTV-në. Inzko vlerësoi gjithashtu se një "politikë e fortë" e bashkësisë ndërkombëtare në BeH është padyshim e nevojshme.

Ky vlerësim, vëren gazeta kroate, është interesant duke marrë parasysh se pikërisht Inzko është simbol i pafuqisë së bashkësisë ndërkombëtare në BeH në dekadën e fundit. Inzko paralajmëroi "politikë të fortë" të bashkësisë ndërkombëtare në BeH në kontekstin e ardhjes së afërt të Joseph Bidenit në Shtëpinë e Bardhë, duke theksuar se Bideni dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se të dy ndajnë pamje të ngjashme të situatës në BeH, gjë që, sipas tij, mund të jetë një kombinim fitues. 

Image

Izetbegovi e Merkel

Mirëpo, është interesante që pala gjermane dëshiron të kryejë të gjithë procesin e emërimit të Schmidtit para se Bideni të vendosë kontrollin mbi administratën e tij, dhe atë në bashkëpunim me diplomacinë ruse, pa mbështetjen e së cilës është e pamundur ta bësh këtë duke pasur parasysh që përfaqësuesi i lartë emërohet nga Këshilli për zbatimin e marrëveshjes së paqes (PIC) dhe emërimi konfirmohet nga Këshilli i Sigurimit i KB, duke vërejtur se diplomacia ruse kërkoi mbylljen e Zyrës së përfaqësuesit të lartë në BeH vitin e kaluar. Schmidti, i cili ishte ministër i bujqësisë i kancelares Merkel, ka bërë thirrje për marrëdhënie më të mira midis Gjermanisë dhe Rusisë dhe të dy vendet e kanë gjetur veten në të njëjtin krah këto ditë në konfliktin me Shtetet e Bashkuara për projektin e tubacionit Nord Stream 2. Rusisë e Gjermanisë u kërcënohen sanksione të ashpra amerikane për shkak të projektit, të mbështetura jo vetëm nga administrata në largim e Donald Trumpit por edhe nga administrata e ardhshme e Bidenit, e cila mund të ketë nxitur afrimin gjermano-rus për BeH-në.

Prandaj do të jetë interesante të shohim se si administrata e Bidenit reagon ndaj marrëveshjes gjermano-ruse për pasardhësin e Inzkos, duke paralajmëruar fillimisht rinovimin e marrëdhënieve transatlantike me Evropën dhe më pas një prani më të fortë të përbashkët në Ballkan për të përshpejtuar proceset e integrimit euro-atlantik dhe kështu të kufizojë ndikimin e vendeve të treta, së pari të Rusisë, dhe pastaj Kinës dhe Turqisë, të cilat në periudhën e kaluar kanë shfrytëzuar në maksimum tërheqjen amerikane nga këto zona dhe dobësinë e politikës evropiane në Ballkan. 

Nismat e dështuara

Politika e re e SHBA-së do të avokojë një BeH të unifikuar dhe gjithëpërfshirëse, duke forcuar qeverinë qendrore dhe institucionet shtetërore, si dhe forcimin e opsionit qytetar, i cili përfshin kufizimin e pushtetit të njësive, gjë që është në kundërshtim me qasjen e Rusisë, e cila kundërshton angazhimin më të fortë të Perëndimit në BeH, duke insistuar në ruajtjen e Dejtonit dhe duke çimentuar gjendjen aktuale të bllokadës së përgjithshme të vendit.

Ardhja e diplomatit gjerman në BeH është përpjekja e fundit e kancelares Merkel për të ndryshuar situatën në BeH, duke pasur parasysh se ajo do të largohet nga posti i kancelares në fund të vitit të ardhshëm, nëse nuk ndryshon mendim dhe kërkon një mandat të pestë. BeH-ja është padyshim një nga humbjet e saj më të mëdha diplomatike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat