Kryeministri i Italisë refuzoi të japë dorëheqjen

Evropë

Kryeministri i Italisë refuzoi të japë dorëheqjen

Më: 15 janar 2021 Në ora: 10:28
Giuseppe Conte

Kryeministri italian Giuseppe Conte i rezistoi thirrjeve sot për të dhënë dorëheqjen pasi partia e koalicionit Italy Viva tërhoqi ministrat e saj nga qeveria, duke e lënë koalicionin qeverisës pa shumicë në parlament.

Në vend të kësaj, Conte sinjalizoi se ai dëshironte të luftonte për mbijetesë në parlament me mbështetjen e partnerëve të tij kryesorë të koalicionit, duke planifikuar të përpiqej të gjente të ashtuquajtur deputetë të përgjegjshëm në opozitë që do të mbështesnin qeverinë, njoftoi Reuters.

Ish-Kryeministri Mateo Renzi e zhyti vendin në kaos politik të Mërkurën kur tërhoqi dy ministrat e tij nga qeveria, duke paraqitur një listë të gjatë ankesash rreth mënyrës se si Conte e trajtoi situatën në shëndetësi dhe ekonomi.

Renzi e la të hapur derën që ai të kthehej në qeveri nëse arrihet një marrëveshje e re politike, megjithatë, partnerët e tij thanë se nuk dëshironin të kishin asgjë më shumë me të.

Renzi është kritikuar për të qenit i papërgjegjshëm sepse ai po shkakton një krizë për qeverinë ndërsa ajo lufton për të ndaluar përhapjen e virusit, për të vaksinuar italianët dhe për të parandaluar kolapsin e mëtejshëm ekonomik.

Për të qëndruar në krye të qeverisë, Conte duhet të gjejë 25 deputetë në dhomën e ulët të parlamentit, i cili ka 630 vende dhe 18 deputetë në Senat, i cili ka 315 vende.

Nëse do të ketë sukses në këtë, do të jetë një shumicë e brishtë, e cila do ta bëjë të vështirë arritjen e një stabiliteti më të gjatë politik, vlerëson agjencia britanike.

Në rast se Conte nuk gjen një mënyrë për të qëndruar në detyrë, Presidenti italian Sergio Matarella mund të përpiqet të formojë një qeveri të unitetit kombëtar për të kapërcyer ngërçin që ka shtangur shumë italianë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat