Opozitari rus Navalny transferohet në spital pas gjendjes së rënduar shëndetësore

Evropë

Opozitari rus Navalny transferohet në spital pas gjendjes së rënduar shëndetësore

Më: 19 prill 2021 Në ora: 16:11
Alexie Navalny

Opozitari rus, Alexei Navalny, është transferuar në një spital për të rimarrë shëndetin e dobësuar pas tri javëve grevë urie në burg.

Autoritetet ruse ku po mbahej 44-vjeçari thanë se gjendja e tij paraqitet e kënaqshme, por ka nevojë për kujdes të veçantë.

Doktorët e Navalny bënë apel një ditë më parë se jeta e opozitarit rrezikohej çdo minutë.

Kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell, e cilësoi tepër shqetësuese situatën e tij.

“Disa javë më parë vizitova Moskën dhe e shtrova këtë çështje, por kërkesa nuk u mor parasysh dhe situatën e shohim po përkeqësohet. Për ne, janë autoritetet ruse përgjegjëse për shëndetin e zotit Navalni,” tha Borrell.

Edhe SHBA-ja ka paralajmëruar Rusinë se do të ketë pasoja nëse Navalny do të vdiste në burg.

Kritiku i presidentit Vladimir Putin dhe i Kremlinit hyri në grevë urie pasi autoritetet e burgut nuk po e trajtonin për dhimbjet trupore dhe humbjen e përkohshme të ndjesisë në gjymtyrë.

Zyrtarët rusë pretendojnë të kundërtën.

Të mërkurën, aktivistët dhe ndihmësit e Navalnyt kanë njoftuar për protesta në Rusi.

“Mund ta largojmë vëmendjen, ta ndryshojmë temën e debatit por nuk e mohojmë dot faktin se Alexei Navalny po vritet në mënyrën më të frikshme dhe përpara syve të gjithkujt,” tha Leonid Volkov.

Navalny u arrestua në janar pas kthimit nga Gjermania në Rusi dhe në muajin shkurt filloi të vuajë dënimin për dy vite burg për akuza që ai thotë se janë të stisura politikisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat