Papa Françesku: Po ndjek me një shqetësim të veçantë zhvillimet në Kuds

Evropë

Papa Françesku: Po ndjek me një shqetësim të veçantë zhvillimet në Kuds

Më: 9 maj 2021 Në ora: 16:07
Papa Françesku

Kreu i Vatikanit, Papa Françesku ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me tensionet në rritje pas shkeljeve nga policia izraelite ndaj palestinezëve që jetojnë në Kudsin Lindor nën pushtim.

Pas lutjes tradicionale që kryen nga dritarja e zyrës së punës që shikon në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa foli për zhvillimet që ndodhën në Kuds.

“Po ndjek me një shqetësim të veçantë zhvillimet e përjetuara në Kuds”, deklaroi Papa i cili shtoi se lutet që Kudsi të jetë një vend takimi ku nuk është e pranishme dhuna.

Papa më tej tha: “I ftoj të gjithë që të kërkojnë zgjidhje të përbashkët ku do të mbizotërojë vëllazëria dhe të respektohet identiteti multifetar dhe multikulturor i qytetit të shenjtë. Dhuna prodhon vetëm dhunë dhe unë i them mjaft tashmë konflikteve”.

Kudsi Lindor nën pushtim është bërë skenë e ditëve të tensionuara për shkak të kërcënimit me migrimin e detyruar ndaj palestinezëve që jetojnë në lagjen Sheikh Jarrah. Po ashtu tensionin në qytet e rrisin edhe sulmet e policisë izraelite në Xhaminë Al-Aksa.

Policia Izraelite mbrëmjen e të premtes më 7 maj ndërhyri me plumba plastikë dhe bomba zhurmuese ndaj besimtarëve në Xhaminë Al-Aksa gjatë namazit të teravive.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi se 205 palestinezë u plagosën për shkak të ndërhyrjes së policisë izraelite.

Në ndërhyrjen e policisë izraelite ndaj palestinezëve dje në Kuds u plagosën 90 persona. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi se në mesin e të plagosurve ka edhe fëmijë dhe një foshnje 1 vjeçare.

Sot policia izraelite plagosi 10 persona gjatë ndërhyrjes sërish me plumba plastikë dhe bomba zhurmuese ndaj besimtarëve që dolën nga Xhamia Al-Aksa pas namazit të sabahut (mëngjesit).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat