Gjukanoviq: Mali i Zi duhet ta rrisë pjesëmarrjen në KFOR

Evropë

Gjukanoviq: Mali i Zi duhet ta rrisë pjesëmarrjen në KFOR

Më: 18 maj 2021 Në ora: 14:29
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq gjatë konferencës për media në Bruksel më 18 maj, 2021.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq tha se ky shtet duhet të rrisë pjesëmarrjen e tij në misionin e KFOR-it.

Në një konferencë të përbashkët për media me shefin e Aleancës Veri-atlantike, Jens Stoltenberg, Gjukanoviq nga Brukseli tha se nuk ka asnjë arsye serioze që Mali i Zi nuk duhet të ketë pjesëmarrje më aktive në KFOR.

“Hezitimet janë të natyrës politike. Hezitimet po përpiqen t'i forcojnë ata që janë kundër pavarësisë së Kosovës, të cilët ende mendojnë se ky ka qenë një gabim dhe të cilët përpiqen të kthejnë rrotën e historisë. Unë mendoj se ky është një mision i pamundur dhe nuk duhet t’i nënshtrohemi kësaj politike që na kthen prapa”, tha Gjukanoviq.

Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi, më herët, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ky shtet nuk planifikon që të dërgojë gjatë këtij viti, një togë të këmbësorisë në misionin e KFOR-it në Kosovë.

“Për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi dhe për shkak të kufizimeve buxhetore, ushtria e Malit të Zi nuk planifikon më 2021 të kryejë aktivitete dhe ushtrime të përbashkëta, trajnime ose angazhim të togjeve të këmbësorisë në misionin e KFOR-it në Kosovë”, thanë nga Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi kur u pyetën për arsyen se pse kanë hequr dorë nga dërgimi i trupave në misionin e KFOR-it.

Aktualisht, Mali i Zi ka një mision në KFOR, që përbëhet nga një zyrtar ushtarak dhe një zyrtar civil i Ministrisë së Mbrojtjes.

Kundërshtime për dërgimin e ushtarëve në misionin e KFOR-it ka pasur edhe nga zyrtar të partisë në pushtet në Mal të Zi, partisë Fronti Demokratik.

Vendimin për pjesëmarrjen e Malit të Zi në misionin e KFOR-it e merr parlamenti malazez, pas nismës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe mendimit të Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri, të kryesuar nga presidenti i vendit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat