Ish-kryeministri francez nominohet për bordin e drejtorëve të kompanisë shtetërore ruse

Evropë

Ish-kryeministri francez nominohet për bordin e drejtorëve të kompanisë shtetërore ruse

Më: 12 qershor 2021 Në ora: 15:35
Francois Fillon

Ish-kryeministri i Francës, Francois Fillon, është nominuar për bordin e drejtorëve të kompanisë shtetërore ruse, Zarubezhneft. Urdhri qeveritar me listën e kandidatëve, i nënshkruar nga kryeministri rus, Mikhail Mishustin, është publikuar në portalin për informacione ligjore.

Francezi Fillon është nominuar për bordin e drejtorëve në kompaninë Zarubezhneft si përfaqësues i Rusisë. Në dokument, ish-kryeministri është në listë si president i kompanisë këshillëdhënëse, Apteras Sarl, të cilën e ka themeluar në vitin 2017 dhe e cila tashmë punon me kompani franceze të themeluara në Rusi.

Zarubezhneft është një kompani shtetërore ruse e naftës me seli qendrore në Moskë. Aksionarja e vetme e saj është Agjencia Federale për Menaxhimin e Pronave. Kompania është themeluar në vitin 1967 për ndërtimin e qendrave për nxjerrjen dhe përpunimin e naftës jashtë vendit, sidomos në Indi, Algjeri, Vietnam, Irak, Libi, Jemen, Siri dhe Kubë, shkruan RBC.

Francois Fillon është politikan me karrierë të konsiderueshme politike në Francë. Nga viti 2002 deri më 2004, ai ka shërbuer si ministër i Punës. Më 2004 e 2005 ishte ministër i Arsimit në qeverinë e Jean-Pierre Raffarin-it. Gjatë presidencës së Nikolas Sarkozy-t, nga maji i vitit 2007 deri në maj të vitit 2012, Fillon shërbeu si kryeministër i Francës.

Ai nuk është ish-zyrtari i vetëm i lartë i vendeve të BE-së që “rehatohet” në një post të lartë në Rusi pas largimit nga jeta institucionale.

Karin Kneissl, ish-ministre e Punëve të Jashtme të Austrisë, e cila e kishte ftuar në dasmën e vet dhe kishte vallëzuar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, javën e kaluar u emërua anëtare e bordit të drejtorëve në gjigantin shtetëror rus të industrisë së naftës, Rosneft, njoftoi kjo kompani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat