Dosjet e Stasi-t: Kapitulli nuk mbyllet, por institucioni i kalon Arkivit Federal

Evropë

Dosjet e Stasi-t: Kapitulli nuk mbyllet, por institucioni i kalon Arkivit Federal

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 08:52
Foto ilustrim

Një trashëgimi e revolucionit paqësor në RDGJ: Autoriteti për Dosjet e Sigurimit të Shtetit nuk do të ekzistojë më me këtë emër, por fryma e tij do të mbetet, dokumentacioni integrohet në Arkivin Federal.

Një shifër impresionuese: 7.353.885 aplikime për shikimin e dosjeve të Ministrisë për Sigurimin e Shtetit janë paraqitur që nga viti 1991.  Gati gjysma (46 përqind) e aplikimeve vijnë nga njerëz, që kanë dashur të dinë, se çfarë ka ditur për ta "Stasi" sikurse quhej në gjuhën e popullit policia sekrete e ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë (RDGJ). Dijeni për jetën e tyre private, qëndrimet politike, planet për arratisje. Të gjitha këto dhe të tjera janë protokolluar në raportet e agjentëve të sigurimit. Këto raporte gjatë 40 vjetëve të ekzistencës së RDGJ-së kanë krijuar një arkiv të paimagjinueshëm: dosjet arrijnë gjatësinë 111 kilometra.

Aktivistët e të drejtave të njeriut në RDGJ gjatë revolucionit paqësor më 1989/1990 u angazhuan që këto dosje të mos asgjësoheshin, pavarësisht se pati shumë rezerva në Perëndim. Pikërisht angazhimi i këtyre aktivistëve bëri që këto dosje jo vetëm u ruajtën por edhe u hapën për publikun e gjerë.Në Gjermaninë e bashkuar u krijua një institucion i posaçëm për administrimin e dosjeve. Emërtimi zyrtar i këtij institucioni është: I Ngarkuari Federal për Dosjet e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit në ish-RDGJ. Por në gjuhën popullore ky institucion njihet si "Autoriteti i dosjeve të Stasi-t.

Image
Aktivistët e të drejtave të njeriut në RDGJ në kohën e revolucionit paqësor shpëtuan edhe dosjet që Stasi kish tentuar t'i asgjësojë. Çdo grimë e dosjeve u mblodh me kujdes, protokollet u rikonstruktuan dhe sot në pjesën më të madhe janë digjitalizuar.

Asnjëherë nuk ka qenë e pakontestuar mënyra se si duhej të veprohej me Ministrinë për Sigurimin e Shtetit, (MfS) të Republikës Demokratike Gjermane, (RDGJ). Asnjëherë më parë nuk i është vënë kaq shumë bisturia, trashëgimisë së një shërbimi sekret policor në publik. Përpjekjet për ta ndalur këtë ka pasur në muajt e revolucionit paqësor në vitin 1989/1990 në të dyja pjesët e Gjermanisë, Perëndim e Lindje. Në Lindje, autorët kishin filluar të shkatërronin dokumentet. Me hapin e pushtimit të qendrës së Stasit në Berlin, aktivistët penguan më të keqen.

Pa ndërhyrjen e tyre të guximshme pas bashkimit të Gjermanisë, nuk do të ishte bërë i mundur themelimi i një autoriteti shtetëror për shqyrtimin e dosjeve të Stasit. Presidenti aktual gjerman, Joachim Gauck ka qenë nga viti 1991 deri në vitin 2000 i ngarkuari i parë për dosjet e ish-policisë sekrete të RDGJ-së, i zgjedhur nga parlamenti gjerman.

Gauck triumfon para gjyqit

Po të ishte bërë realitet vullneti i Helmut Kohl-it, kancelarit të bashkimit, dosjet e Stasit do të duhej të mbesnin të kyçura. E kjo jo patjetër për arsye personale apo politike. Thjesht ky qëndrim i përgjigjej pikëpamjes gjermanoperëndimore për drejtësisë, që dosjet shtetërore të një rëndësie të tillë t'i trajtonte si dosje të mbyllura, por aktivistët e të drejtave të njeriut të RDGJ-së, kërkuan që sidomos viktimave të diktaturës së RDGJ-së t'u mundësohej një vështrim në këto dokumente.

Image

Në vitin 1992 Gauck arriti një fitore juridike para Gjykatës Administrative të Berlinit: Ligjit të krijuar për autoritetin e dosjeve iu dha prioritet para ligjit federal për mbrojtjen e të dhënave të individit. Kjo lehtësoi mundësinë e shqyrtimit të shumë dosjeve, të cilat në rast tjetër do të kishin mbetur të padepërtueshme, me shtojcën se janë informacione të lidhura me personin.

Nuk ka dyshim që në tërësinë e vet historia e autoritetit të dosjeve të policisë sekrete të RDGJ-së edhe 25 vite më pas është një histori suksesi. Për shumë vende në Amerikën Latine apo në Evropën Lindore ajo shërben si shembull për të mësuar se si të trajtohet historia e diktaturës në vend. Më ndihmën e tyre zbulohen autorët dhe mund të nxirren para drejtësisë, viktimat mund të provojnë se si u ndërprenë biografitë e jetës së tyre për arsye politike. Kështu mund të ecë përpara rehabilitimi, të paktën financiarisht.

Dosjet i shërbejnë rehabilitimit

Arkivimi, studimi dhe hapja e dosjeve të Stasit nuk kanë thjesht karakterin e një programi për rehabilitimin individual e shoqëror. Sepse sigurisht në RDGJ, krahas qindra mijëra spiunëve, ka pasur edhe njerëz që rezistonin ndaj sistemit dhe e refuzonin bashkëpunimin me shërbimin sekret të kudogjendur. Ndriçimi i kësaj ane të diktaturës ka qenë një nga detyrat e autoritetit sidomos në dhjetëvjeçarin e parë të krijimit.

Autoriteti i Dosjeve të Stasi-t mbetet në mbarë botën në kujtesë si një histori suksesi. Ky institucion ka shërbyer në shumë vende të Europës Lindore por edhe në Amerikën Latine e Lindjen e Mesme si një model për trajtimin e së shkuarës diktatoriale. Falë dosjeve të hapura është arritur të zbulohen dorasit dhe të ndëshkohen ligjërisht. Viktimat në rastin më të mirë kanë gjetur dëshmi, se si atyre për arsye politike u është penguar karriera profesionale. Në këtë mënyrë në varësi të rasteve është bërë i mundur edhe zhdëmtimi të paktën financiar i tyre.

Image
Tre drejtuesit e Autoritetit të Dosjeve (nga e majta në të djathtë) Roland Jahn, Marianne Birthler dhe Joachim Gauck

Hulumtimi i së shkuarës së Stasi-t do të vazhdojë të jetë i mundur

Edhe me integrimin e këtij dokumentacioni në Arkivin Federal asgjë nuk do të ndryshojë, sepse dosjet mbeten të hapura. Për viktimat e arbitraritetit të RDGJ-së si edhe për studiuesit e gazetarët. Edhe verifikimi i personave në sektorin e shërbimeve publike për implikimin e tyre eventual në strukturat e Stasi-t do të vazhdojë të jetë i mundur deri në vitin 2030. Ligji përkatës është rinovuar nga Bundestagu në vitin 2019. 

Koha e zbulimeve të mëdha ka mbaruar: Pasuesja e Gauck-ut, Marianne Birthler, dhe drejtuesi i autoritetit nga viti 2011, Roland Jahn e kanë drejtuar fokusin vitet e fundit në aspektin e studimit të diktaturës. Për këtë dosjet e Stasit ofrojnë material të bollshëm. Shumë studime janë bërë mbi këtë bazë, por ende ka gjëra për t'u zbuluar. Në të ardhmen kjo do të bëhet në struktura të reja organizative në kuadrin e Arkivit Federal. Droja se ndoshta me fundin e autoritetit të dosjeve do të mbyllet kapitulli i Stasi-t është e pabazë, se edhe në të ardhmen gjithsekush ka të drejtë të shohë dosjet tashmë në Arkivin Federal. Drejtuesi aktual i Autoritetit të Dosjeve Roland Jahn thekson, se "Arkivi i autoritetit të dosjeve të Stasi-t me një funksion shembullor në nivel ndërkombëtar do të vazhdojë të jetë i hapur edhe me integrimin e tij në Arkivin Federal".

Mandati i drejtuesit aktual të këtij autoriteti përfundon më 17 qershor, jo e rastësishme kjo datë. Pikërisht më 17 qershor 1953 në RDGJ u zhvillua kryengritja popullore, që u mposht me mbështetjen e ushtarëve sovjetikë. Revolucioni i dytë në Gjermaninë e ndarë më 1989/90 qe i sukseshëm. Ai solli fundin e diktaturës komuniste dhe u kurorëzua me ribashkimin./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat