Zjarret masive pyjore marrin tre jetë në Turqi, Greqia i ofron ndihmë

Evropë

Zjarret masive pyjore marrin tre jetë në Turqi, Greqia i ofron ndihmë

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 22:29
Turqi

Zjarret masive pyjore në qytetin bregdetar të Mesdheut të Turqisë, Antalya, kanë marrë tre jetë njerëzish.

Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) përmes një deklarate tha se tre persona humbën jetën dhe 122 të tjerë u prekën nga zjarret në qarkun Manavgat. Trajtimi i 58 personave vazhdon në spitale, shtoi AFAD.

Shumë shtëpi, vende pune, hambare, tokë bujqësore, serra dhe automjete u dëmtuan për shkak të zjarrit, tha AFAD duke shtuar se 12 ekipe po kryejnë aktualisht vlerësimin e dëmeve.

Gjysmëhëna e Kuqe Turke dërgoi një tendë të kuzhinës fushore, pesë automjete "shtepi" dhe njësi ushqyese me një kapacitet për 20.400 persona.

"Zjarret në Manavgat të Antalyas janë nën kontroll, por ka një zjarr aktiv në qarkun Akseki i cili shpërtheu mbrëmë, u tha gazetarëve në Antalya ministri i Bujqësisë dhe Pyjeve, Bekir Pakdemirli.

Pakdemirli tha se një 82-vjeçar, i cili ishte i vetëm në shtëpi, humbi jetën ndërsa përpjekjet e evakuimit ishin duke u zhvilluar në fshatin Kepezbeleni të Akseki-t. Ai u bëri thirrje vendasve që të respektojnë paralajmërimet.

Mustafa Yigit, guvernatori i Manavgat i tha AA se 10 persona u shpëtuan në digën Oymapinar.

"Ata u prekën nga tymi dhe u dërguan në spital", tha ai, duke shtuar se ata nuk janë në rrezik për jetën.

Më herët, Pakdemirli tha se kishte 10 persona të bllokuar në digën Oymapinar ndërsa disa lagje janë evakuuar.

"Ambulancat dhe ekipet e AFAD-it janë në rrugë për qytetarët tanë në digën Oymapinar. Rruga është e hapur, ata do të përpiqen t'i evakuojnë", tha Pakdemirli.

Ai tha se në përpjekjet për vënien nën kontroll të 10 zjarreve janë angazhuar gjithsej 1.832 pjesëtarë, tre aeroplanë, 29 helikopterë dhe 458 cisterna uji.

Ministria e Bujqësisë dhe Pyjeve ka angazhuar gjithashtu një helikopter pa pilot për shuarjen e zjarrit në Manavgat. Helikopteri pa pilot, i projektuar për të mbështetur pikën e kontrollit përmes kamerës termike dhe sensorëve të tij me rezolucion të lartë, mund të qëndrojë në ajër deri në tetë orë.

Pakdemirli dhe ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavusoglu kontrolluan zonën e zjarrit, e cila shpërtheu në katër pika të ndryshme në qarkun Manavgat të mërkurën dhe u përhap në një zonë të gjerë.

"Ne shpresojmë që zjarret si në Manavgat dhe në pjesë të ndryshme të Turqisë të vihen nën kontroll dhe të shuhen", tha Çavusoglu.

Ndërkohë që ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka pasur një bisedë telefonike me homologun turk, ku i ka ofruar ndihmën e shtetit helen në përballimin e kësaj situate.

"Unë fola me telefon me ministrin e Jashtëm të Turqisë, MevlutCavusoglu dhe i shpreha ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen e jetëve të shkaktuara nga zjarret, përfshirë në rajonin e Antalisë në vendlindjen e Ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë. Unë gjithashtu shpreha gatishmërinë e Greqisë për të ofruar ndihmë nëse më kërkohet", shkruan në rrjetet sociale Dendias.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat