Miqësia e çuditshme | Pse Dodik fluturoi për te presidenti kroat me helikopter të ushtrisë serbe dhe çfarë lidhje ka kjo me Patriarkun Porfirije?

Evropë

Miqësia e çuditshme | Pse Dodik fluturoi për te presidenti kroat me helikopter të ushtrisë serbe dhe çfarë lidhje ka kjo me Patriarkun Porfirije?

Më: 26 korrik 2023 Në ora: 19:19
Milorad Dodik, Patriarku Porfirije dhe Vuçiqi

Presidenti i entitetit të Republika Srpska-s, Milorad Dodik, ka udhëtuar dje në Hvar me një helikopter të Ushtrisë Serbe për t’u takuar me Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq.

Dodik, kujton Klix.ba, fillimisht ka fluturuar deri te Milanoviqi, e më pas për te Aleksandar Vuçiq në Serbi. Dodik fluturoi me të njëjtin helikopter vitin e kaluar, kur ishte në Vlasenicë. Kjo pyetje bie në rrafshin e atyre simptomatike, sepse pashmangshmërisht ka një sfond më të thellë politik, i cili pasqyron lidhjet e veçanta midis Serbisë dhe RS-së, pra midis Vuçiqit dhe Dodikut.

Në rrethanat aktuale, kjo lëvizje e lartëson Vuçiqin si njeriun që menaxhon Dodikun dhe Dodik duket si një lidhje e veçantë në marrëdhëniet mes Vuçiqit dhe Milanoviqit.

Mediat kroate kritikuan takimin mes Milanoviqit dhe Dodikut.

“Milanoviq po i bën luftërat e tij me Sarajevën zyrtare, por edhe me Brukselin, me aleancën e NATO-s, me Amerikën për luftën në Ukrainë, me të gjithë, përveç rusëve. Dhe këtu ai përshtatet në mënyrë të përkryer në boshtin politik Orban-Dodik. Por Milanoviq e promovon veten edhe si një udhëheqës kombëtar, sovranist dhe tuxhmanist, promotor i mbrojtësve dhe mbrojtës i aksionit “Stuhia”. Pra, nuk është e qartë se si ky fakt përshtatet në marrëveshjen e Milorad Dodikut, Aleksandar Vuçiqit dhe Patriarkut Porfirije që përkujtimi i sivjetshëm për viktimat e “Stuhisë” të organizohet në Prijedor. Në një qytet që dikur ishte skenë e krimeve, spastrimeve etnike dhe vuajtjeve të kroatëve dhe boshnjakëve. Si atëherë i ndan Milanoviqi ditët e pushimit me një Dodik të tillë?”, pyesin mediat kroate.

Dodik mbërriti në Hvar të martën në mëngjes, në fshehtësi të plotë, pa një njoftim zyrtar.

Në mënyrë të relaksuar, Dodik shkoi të kalonte kohë me Presidentin e Kroacisë. Ai u ngrit nga Banja Lluka dhe u ul në heliportin e Hvarit.

Aty larg syve të publikut e prisnin automjete të gatshme me targa të Zagrebit. Sigurimi u kujdes për sigurinë e tyre, të gjithë jo shumë larg rezidencës verore të Presidentit të Kroacisë.

Në anën tjetër, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar dje se Dodik ka mbërritur në livadhet e Pasuljanskes nga një vizitë në Kroaci dhe se ka përdorur një “helikopter serb”.

Nuk dihet pse Dodik përdor helikopterin e Serbisë kur njësia policore e RS e ka të vetin.

Turneu rajonal i Dodikut me helikopter të martën erdhi në një kohë kur ai po përballet me izolimin diplomatik dhe Republika Srpska po përballet me sanksione të heshtura financiare nga BE për shkak të lëvizjeve në atë entitet për të minuar Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat