DASH jep shpërblim deri në 10 milionë dollarë për dhënien e informacioneve rreth sulmeve kibernetike në Mal të Zi

Evropë

DASH jep shpërblim deri në 10 milionë dollarë për dhënien e informacioneve rreth sulmeve kibernetike në Mal të Zi

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 17:03
DASH

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) njofton për dhënien e shpërblimit deri në 10 milionë dollarë për dhënien e informacioneve që mund të ndihmojë në zbardhjen e hetimeve mbi sulmet kibernetike të kryera kundër interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në sulmet e ndodhura në Mal të Zi.

Billbordet, të cilat reklamojnë një shpërblim për dhënien e informacionit që mund të çojë në identifikimin ose vendndodhjen e çdo personi që ka marrë pjesë në aktivitete keqdashëse kibernetike, janë vendosur nga Ambasada amerikane në disa lokacione në Podgoricë.

Teksti i shpalljes është në gjuhën malazeze dhe ruse dhe theksohet se pagesa është e mundur edhe në kriptovaluta.

Sipas Ambasadës, qëllimi i reklamës është të mbledhë informacione nga individë që aktualisht jetojnë në Mal të Zi dhe që mund të kanë njohuri më shumë për sulmet.

“Oferta e shpërblimit është e pakufizuar për sa i përket informacionit të kërkuar dhe shpërblimet paguhen në raport me cilësinë e informacionit të dhënë”, thuhet në përshkrimin e njoftimit.

Konkretisht, sulmet ndaj rrjetit informativ të Qeverisë së Malit të Zi filluan në gusht të vitit të kaluar, pas së cilës u pamundësua qasja në ueb-faqet dhe e-mailet e tyre, si dhe në institucionet e tjera si prokuroria, gjykatat, kadastra dhe administrata doganore.

Njoftimi thotë se aktivitetet kibernetike keqdashëse tregojnë nevojën për të mbrojtur ekosistemin dixhital.

“Informacionet në lidhje nga sulmet me Ransomware në sistemet shtetërore të informacionit, ndërhyrjet në zgjedhje ose aktivitetet kibernetike keqdashëse kundër infrastrukturës kryesore të SHBA-së mund të raportohen duke ardhur në Ambasadën e SHBA-së në Podgoricë”, vijon thirrja./REL/

Programi i Shpërblimeve i Departamentit të Shtetit është botëror në natyrë për të gjeneruar informacione vepruese që mbron amerikanët.

Ky Program ofron shpërblime për informacion mbi terrorizmin, ndërhyrjen e huaj në zgjedhjet e SHBA-së dhe aktivitetin e huaj keqdashës kibernetik kundër vendit.

Ekspertët e Zyrës Federale të Hetimeve (FBI) ndihmuan në tejkalimin e pasojave të sulmit kibernetik ndaj institucioneve shtetërore të Malit të Zi, të ndodhura vitin e kaluar.

Kujtojmë se Mali i Zi është anëtar i NATO-s që nga viti 2017. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat