BE: Të gatshëm të ndihmojmë Marokun pas tërmetit vdekjeprurës

Evropë

BE: Të gatshëm të ndihmojmë Marokun pas tërmetit vdekjeprurës

Më: 9 shtator 2023 Në ora: 08:43
Foto ilustrim

Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbështesë Marokun pas tërmetit vdekjeprurës që ka vrarë të paktën 296 njerëz, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Mendimet tona janë me të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi dhe shpëtimtarët e përfshirë në operacionin e kërkimit”, shkroi Michel në X.

”Lajmi për tërmetin ishte i tmerrshëm”, shkroi ai.

“BE është e gatshme të mbështesë Marokun në këto momente të vështira”, theksoi Michel.

Komentet e Michel erdhën nga kryeqyteti indian Nju Delhi ku ai po merr pjesë në samitin e G20.

”Të paktën 296 persona humbën jetën në Marok nga një tërmet i fuqishëm”, tha sot Ministria e Brendshme e vendit.

Një tërmet me magnitudë 6,8 ballë Rihter goditi Marokun në orën 23:00 të së premtes (2200 GMT), tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA (USGS). Tërmeti ndodhi rreth 70 kilometra në jugperëndim të Marrakeshit, në një thellësi prej 18,5 kilometrash, tha USGS.

Ministria tha se 153 persona të tjerë u plagosën. Nasser Jabour, drejtor i Institutit Kombëtar të Gjeofizikës, i tha agjencisë marokene të lajmeve MAP se tërmeti ishte ndjerë në disa qytete brenda 400 kilometrave nga epiqendra.

“Është hera e parë në një shekull që instituti regjistron një tërmet të dhunshëm të këtij lloji në Marok”, tha ai.

Tërmeti u pasua nga qindra pasgoditje, tha Jabour. Tërmeti shkaktoi panik në mesin e banorëve në Marrakesh, Agadir dhe qytete të tjera dhe u ndje gjithashtu në Rabat dhe Casablanca, raportoi gazeta lokale ”Le Matin”. Spitalet në Marrakesh u bënë thirrje njerëzve të dhurojnë gjak, ndërkohë që kishte ende njerëz që besohet të jenë të bllokuar nën rrënoja, raportojnë mediat lokale.

Transmetimet televizive marokene treguan ndërtesa të shkatërruara në rrënoja dhe dëmtime në muret e famshme të kuqe që rrethojnë pjesë të zonës historike të Marrakeshit. Tërmeti i fundit i madh që goditi vendin ndodhi në vitin 2004, kur një tërmet me magnitudë 6,4 vrau më shumë se 600 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat