Frika nga pastrimi etnik, armenët largohen nga Nagorno-Karabakh

Evropë

Frika nga pastrimi etnik, armenët largohen nga Nagorno-Karabakh

Më: 25 shtator 2023 Në ora: 09:33
Foto ilustrim

Me qindra armenë janë larguar nga rajoni i Nagorno-Karabakh në drejtim të Armenisë, disa ditë pasi që enklava ra në duart e Azerbajxhanit. Azerbajxhani e pushtoi zonën e banuar me rreth 120 mijë armenë në fillim të kësaj jave teksa ka deklaruar se synon që t’i riintegrojë ata si “qytetarë të barabartë”. Por Armenia ka paralajmëruar se ata mund të përballen me spastrim etnik.

Në grupet e para që u larguan të dielën ishin rreth 400 persona. Autoritetet armene bënë të ditur se veprimi do ta ndihmojë këdo që vepron në këtë mënyrë, por vazhdimisht ka përsëritur se një eksod masiv do të ishte faj i autoriteteve të Azerbajxhanit.

Në një fjalim televiziv të dielën, kryeministri i Armenisë, Nikol Pashanyan, ka deklaruar se shumë brenda enklavës do ta “shohin dëbimin nga atdheu si të vetmen rrugëdalje” në rast se Azerbajxhani nuk siguron “kushte të mira jetese” dhe “mekanizma efektivë të mbrojtjes kundër spastrimit etnik”.

Por David Babayan, këshilltar i udhëheqësit etnik armen të Nagorno-Karabakh, Samvel Shahramanyan, ka thënë për Reuter se priste që pothuajse të gjithë të largoheshin.

“Njerëzit e tij nuk duan të jetojnë si pjesë e Azerbajxhanit, 99.9 për qind e tyre preferojnë të largohen nga tokat tona historike”, ka thënë ai.

“Fati i njerëzve tanë të varfër do të hyjë në histori si një turp për popullin armen dhe për të gjithë botën e qytetëruar”, shtoi ai.

“Ata që janë përgjegjës për fatin tonë, një ditë do të duhet të përgjigjen para Zotit për mëkatet e tyre”.

Nagorno-Karabakh, një rajon malor në Kaukazin e Jugut, njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, porse është kontrolluar nga armenët për më se tre dekada. Enklava është mbështetur nga Armenia por edhe nga aleati i saj, Rusia, e cila ka pasur me qindra ushtarë të vendosur në këtë pjesë për vite me radhë.

Pesë paqeruajtës rusë janë vrarë, së bashku me të paktën 200 armenë dhe dhjetëra ushtarë azerbajxhanas, kur ushtria e Azerbajxhanit hyri në këtë rajon në fillim të kësaj jave.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit bëri të ditur të dielën se kishte konfiskuar më shumë pajisje ushtarake, duke përfshirë një numër të madh raketash, predha artilerie, mina dhe municione.

Pavarësisht nga sigurimet publike të Azerbajxhanit, ekziston frika e vazhdueshme për banorët e Nagorno-Karabakh, me vetëm një dërgesë ndihme prej 70 tonësh ushqimi që është lejuar që kur separatistët pranuan një armëpushim dhe ranë dakord të çarmatoseshin.

Udhëheqësit armenë etnikë kanë thënë se mijëra njerëz janë pa ushqim dhe flenë në bodrume, ndërtesa shkollash ose jashtë. Në fjalimin e tij televiziv, kryeministri armen la të kuptohet gjithashtu se Rusia nuk kishte dalë në mbrojtje të saj në konflikt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat