Trupi i Navalnyt i dorëzohet nënës së tij, njofton zëdhënësja e tij

Evropë

Trupi i Navalnyt i dorëzohet nënës së tij, njofton zëdhënësja e tij

Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 17:16
Një person ndez një qiri para fotografisë së Aleksei Navalnyt të vendosur para Zyrës Ndërlidhëse ruse në Prishtinë më 20 shkurt 2024.

Trupi i liderit opozitar rus, Alexei Navalny – i cili vdiq papritmas dhe befas në burg javën e kaluar – i është dorëzuar nënës së tij, njoftoi të shtunën zëdhënësja e tij, Kira Yarmysh.

Yarmysh tha se nuk e di nëse autoritetet ruse do të lejojnë mbajtjen e varrimit të tij “në mënyrën se si familja dëshiron dhe në mënyrën se si Alexei e meriton”.

Trupi i Navalnyt iu dorëzua nënë së tij Lyudmila Navalnaya pak kohë pasi asaj i ishte kërkuar të pajtohej për “varrosjen e tij fshehurazi”, ose ndryshe ai do të varrosej në burgun ku vdiq.

Yarmysh i falënderoi të gjithë ata që kishin kërkuar kthimin e trupit të tij te familja.

Të shtunën më herët, e veja e Navalnyt, Yulia Navalnaya, e akuzoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, se po e mbante “peng” trupin e burrit të saj dhe i kërkoi ta lironte atë pa asnjë kusht.

Ajo përsëri e akuzoi presidentin rus se është përgjegjës për vdekjen e burrit të saj.

Kremlini i ka mohuar akuzat, ndërsa reagimet e Perëndimit për vdekjen e tij i ka cilësuar si “histerike”.

Navalny vdiq më 16 shkurt në një burg rus në Arktik..REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat