Sllovaki, tre të akuzuar për vrasjen e gazetarit hulumtues

Evropë

Sllovaki, tre të akuzuar për vrasjen e gazetarit hulumtues

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 23:15
Jan Kuciak

Autoritetet në Sllovaki kanë arrestuar 8 persona në lidhje me vrasjen e një gazetari investigativ 7 muaj më parë. Ekzekutimi i Kuciak, i cili denonconte lidhjet e qeverisë sllovake me mafien italiane, shkaktoi protesta që çuan në rrëzimin e qeverisë.

Autoritetet gjyqësore në Sllovaki kanë ngritur akuzë ndaj 3 personave në lidhje me vrasjen e gazetarit investigativ Jan Kuciak.

Kuciak dhe e fejuara e tij Martina Kusnirov u qëlluan për vdekje me armë zjarri në muajin shkurt, ngjarje që shënoi dhe vrasjen e parë të një gazetari në Sllovaki.

27-vjeçari po hetonte lidhjet e figurave të qeverisë me eksponentë të krimit të organizuar italian.

Mediat lokale bëjnë të ditur se 3 të akuzuarit ishin pjesë e 8 personave të arrestuar të enjten në një operacion policor. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës që 3 të akuzuarit të mbahen nën arrest, ndërkohë që 5 të tjerët janë lënë në gjendje të lirë.

Artikulli i fundit i Kuciak i botuar pas vdekjes së tij, fliste për lidhjet e mafias kalabreze me biznesmenë dhe politikanë sllovakë për të përfituar fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë dhe agrikulturën. Por ndërsa të arrestuarit mund të akuzohen për vrasjen materiale të gazetarit, urdhëruesit e saj mbeten ende të panjohur.

Vrasja e Kuciak shkaktoi një seri protestash masive në mbarë Sllovakinë, të cilat detyruan kryeministrin Robert Fiko të jepte dorëheqjen. Pasardhësi i tij Peter Pelegrini ka përshëndetur arrestimet e fundit përmes një statusi në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat