“Brexit”, Britania pretendon marrëveshje brenda 21 nëntorit

Evropë

“Brexit”, Britania pretendon marrëveshje brenda 21 nëntorit

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 21:30
Theresa May

Ministri britanik për “Brexit”-in beson se marrëveshja për divorcin me Bashkimin Europian mund të arrihet brenda 21 nëntorit, sipas asaj që është zbuluar këtë të mërkurë, edhe pse nga “Downing Street” duken disi më të përmbajtur.

Dominic Raab i ka bërë këto komente në një letër dërguar Komitetit për shqyrtimin e “Brexit”-it në Dhomën e Komunëve, që daton prej 24 tetorit por që është bërë publike vetëm tani.

“Do të isha i lumtur të jepja prova para Komitetit kur marrëveshja të jetë finalizuar, e aktualisht pres që më 21 nëntor të jetë momenti i duhur për këtë”, shkruan ai.

Të dy kryekëshilltarët e Theresa Mayt për “Brexit”-in, Raab dhe Oliver Robbins, ishin ftuar të flisnin para komitetit në atë datë. Gjithsesi, zëdhënësi i Mayt refuzoi të përsëriste datën 21 nëntor, teksa u mjaftua të përsëriste vetëm fjalinë se “do të donim ta përmbyllnim këtë marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur”.

Më herët, ai ishte shprehur se qeveria po bënte gjithçka mundej për një marrëveshje gjatë vjeshtës.

Pjesa më e madhe e marrëveshjes së divorcit me Brukselin është rakorduar, por bisedimet kanë ngecur në faktin sesi mund të shmangen kontrollet e reja në kufirin tokësor të Britanisë me Irlandën që është anëtare e BE-së, pasi vendi ishullor të dalë nga tregu i përbashkët dhe unioni doganor europian.

Raab do të vizitojë Irlandën e Veriut, pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, të premten, në atë që e konsideron si “udhëtim faktmbledhës”, që do të përfshijë takime me biznesmenë lokalë dhe politikanë, siç tha një zyrtar në ministrinë e drejtuar prej tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat