"Njerëzit nuk duhet të kritikojnë Lewis, të gjithë e panë atë që ndodhi. Ai nuk donte të më dëmtonte mua, tifozët duhet të kritikojnë vendimin. Si ndihem? I zemëruar".
Këto kanë qenë fjalët e Sebastian Vettel pas penalizimit me 5 sekonda që e kanë zbritur në vendin e dytë në Çmimin e Madh të Kanadasë. Para se të ngjitej në podium, piloti gjerman ka ndërruar vendin e tabelave që tregonin vendin e parë dhe të dytë, të vendosura para Mercedes-it të Hamilton-it dhe Ferrari-t të tij.
"Është për të ardhur keq, - ka komentuar më pas Seb për Sky Sport, - sot nuk ishim më të shpejtë, besoj se Lewis ishte më i shpejtë dhe duhet ta pranojmë. Megjithatë, kemi kaluar të parët vijën e finishit. Kemi fituar një pole position të pabesueshme, kemi arritur ta mbajmë mbrapa, duke luftuar me thikën mes dhëmbëve gjatë gjithë garës".
Deri në momentin e penalizimit pas gabimit: "Nuk besoj se mund të kisha bërë diçka ndryshe, po kërkoja të mbijetoja dhe ta mbaja makinën në pistë, kam dalë nga bari dhe gomat ishin pis, nuk e di se çfarë mund të kisha bërë ndryshe. Ka qenë një moment shumë i shpejtë".