Sikur të mos mjaftojnë problemet e shumta që Ferrari ka kohët e fundit, një lajm aspak i mirë nuk ka ardhur për Sebastian Vettel nga pista e Austin, atu ku ditën e diel do të zhvillohet gara e Çmimit të Madh të Amerikës në Formula 1. Komisarët e pistës e kanë penalizuar me 3 pozicione pilotin gjerman të “kokëkuqes”, pasi nuk ka ulur shpejtësinë në kohën që valëvitej flamurin i kuq.
Një lajm që nuk duhej në këto momente për Vettel dhe Ferrarin, që shpresonte shumë në fitoren në Austin, për të ndalur hegjemoninë e Hamilton. Ky i fundit mund të fërkojë duart, pasi mund të festojë pas 24 orësh titullin e pestë kampion në Formula 1.
Vendimi i komisarëve ka qenë i rëndë për Vettel, që pavarësisht rezultatit që do të arrijë në provat zyrtare për “pole”, do ta nisë garën 3 pozicione më pas. Gjermani nuk e uli shpejtësinë në momentin që flamuri i kuq valëvitej, kur piloti Charles Leclerc doli jashtë piste.