Alarm te Chelsea, FIFA nis hetimin për futbollistët minorenë

Futboll

Alarm te Chelsea, FIFA nis hetimin për futbollistët minorenë

Më: 29 janar 2019 Në ora: 07:52
Foto ilustrim

Pas Barcelonës dhe Atletico Madridit, edhe Chelseat rrezikon t'i bllokohet merkato.

Motivi është gjithmonë i njëjti; federimi i disa futbollistëve minorenë. Lajmi është publikuar te "The Guardian".

FIFA, në fakt, është duke hetuar mbi shkeljen e rregullores në lidhje me blerjen e më shumë se 100 futbollistësh të ardhur nga jashtë kufijve të Britanisë së Madhe.

Gjithçka nisi vitin e shkuar, kur u sinjalizuan 25 raste lojtarësh të hetuar. Pas një tjetër verifikimi, komisioni disiplinor i FIFA-s vendosi që të hetojë më në thellësi, teksa janë evidentuar më shumë se 100 raste.

Sipas rregullores, klubet nuk mund të afrojnë lojtarë të huaj nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të rasteve kur prindërit e tyre nuk kanë emigruar për motive jo të lidhura me futbollin ose kur vendi i lindjes së lojtarit është 50 km nga kufiri kombëtar (tjetër përjashtim lidhet me futbollistë mes moshës 16 dhe 18 vjeç që transferohen brenda Bashkimit Europian).

FIFA është duke përpunuar vendimin final, me rrezikun konkret për bllokimin e merkatos, ashtu si është parë në të shkuarën.

Klubi londinez ka shpjeguar se ka bashkëpunuar me FIFA-n, në mënyrë të qartë, duke u mbrojtur dhe shpjeguar se shumë lojtarë që kanë përfunduar në këtë hetim janë pjesë e Akademisë ose janë në provë, pa firmosur kontratë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat