Shosholli flet për bashkëlojtarin e Fadil Vokrrit dhe ligën e veteranëve

Futboll

Shosholli flet për bashkëlojtarin e Fadil Vokrrit dhe ligën e veteranëve

Nga: Kemajl Goca Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 14:39
Shosholli flet për bashkëlojtarin e Fadil Vokrrit dhe ligën e veteranëve

Ndeshjet revyale apo miqësore të futbollit për veteranë, pa dyshim se zgjojnë kureshtjen e dashamirëve, siç ishte ajo e fundit mes veteranëve të Kosovës dhe atyre të Turqisë, e cila u luajt për nder të Pavarësisë së Kosovës dhe u fitua nga veteranët tanë me rezultat 3:2. Sfida u zhvillua në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, por krahas kësaj kishte edhe shumë të mira tjera, në radhët të parë të lidhjes së bashkëpunimit mes këtyre veteranëve që të vazhdojnë me ndeshjet e radhës. Ajet Shosholli, selektor i veteranëve të Kosovës, tha se do të zhvillojnë edhe një ndeshje tjetër, pra në muajin prill me turqit, po ashtu flet edhe për ish bashkëlojtarin e Fadil Vokrrit, Tanju Çolak dhe për Ligën e Veteranëve që starton vitin e ardhshëm.

“Ndeshja u zhvillua për nder të Ditës së Pavarësisë, me veteranët e Turqisë, të cilët i drejtonte selektori Tanju Çolak, ish futbollist i njohur i Fenerbahçes dhe atëkohë (1991-93) bashkëlojtari i Fadil Vokrrit. Vërtet ishte lojë e bukur. Veteranët tanë luajtën lojë shumë të mirë dhe fituan me rezultat 3:2, kurse organizimi ka qenë shumë i mirë nga ana rajonit futbollistik të Prizrenit.

Ndeshjen e kthimit do ta luajmë në muajin prill me veteranët turq. Presim ata të na konfirmojnë vetëm datën e zhvillimit të ndeshjes në Turqi. Çolak ka qenë i fascinuar me mikpritjen dhe sipas tij,  jemi në miqësi me shqiptarët prej kohërave të mëhershme”, thotë Shosholli për gazetën kombëtare “Bota sot”. “Turqit ishin shumë mirë të organizuar, me uniforma, me një sekretaresh që u rrinte pranë ekipit, po ashtu edhe ne do të bëjmë përpjekje që të organizohemi sa më mirë, sepse kësaj radhe jemi mbledhur vetëm blic, vetëm për ndeshje.

Turqit ishin edhe në formë fizike, të cilët ushtrojnë kohë pas kohe. Edhe te ne është e domosdoshme të stërvitemi dhe besoj për ndeshjen me turqit që do të kërkojmë përmes FFK-së të na mundësojë disa stërvitje”, - thotë trajneri i mirënjohur. Shosholli tha se këto ndeshje janë të mirëseardhura, sidomos për futbollistët që e përfundojnë karrierën aktive.

“Janë ndeshje të mirëseardhura dhe çdo shtet e ka edhe ligën e veteranëve, sepse futbollistët që përshëndeten nga loja aktive, i kontribuon liga e veteranëve për mos me lënë karrierën menjëherë. Mendoj që prej vitit të ardhshëm do të organizohet zyrtarisht Liga e Kosovës, iniciator i të cilës është Blerim Shishko”, përfundoi Shosholli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat