Sherr në pushim të ndeshjes

Futboll

Sherr në pushim të ndeshjes

Më: 23 mars 2019 Në ora: 17:21
Sherr në pushim të ndeshjes

Në javën e fundit të Serisë A bëri bujë sherri në stolin e Milanit, mes Kessie e Biglia, por një tjetër sherr i egër ndodhi në Ferrara, në pushimin e ndeshjes SPAL-Roma.

Dy sulmuesit e Romës, Edin Dzeko e Stephan El Shaarawy, për pak sa nuk u përleshën me grushte dhe u desh ndërhyrja e lojtarëve dhe stafit për t'i ndarë.

Sipas Corriere dello Sport, Dzeko i bërtiti El Shaarawy-t për një pasim që nuk i kishte dhënë në pjesën e parë, ndërsa italiani reagoi ashpër, duke bërë që situata të degradonte dhe të rrezikohej përleshja.

Më pas El Shaarawy u zëvendësua, duke mos luajtur fare në pjesën e dytë, çka e tërboi sulmuesin, i cili e akuzoi trajnerin Ranieri për trajtim të pandershëm.

Gjoba për dy "gjelat" është e pashmangshme, por Roma nuk do ndalet me kaq, sepse mediat italiane raportojnë se Dzeko mund të përjashtohet nga ndeshja e ardhshme në kampionat, kundër Napolit, ndërsa El Shaarawy mund të largohet në verë, sepse ka kontratë deri në 2020 dhe zor se do ketë më bisedime për rinovim në situatën aktuale.

Edhe Dzeko, 33 vjeç dhe 6 milionë euro pagë, po kthehet në një barrë për Romën, që tashmë po bindet ta shesë, duke menduar për Andrea Belotti-n në vend të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat