Klopp: Nuk e di si arritëm ta përmbysim rezultatin

Futboll

Klopp: Nuk e di si arritëm ta përmbysim rezultatin

Më: 8 maj 2019 Në ora: 15:46
Salah dhe Klopp

Liverpooli bëri mrekullinë duke e përmbysur rezultatin kundër Barcelonës në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe trajneri Jurgen Klopp ishte shumë i gëzuar pas ndeshjes, përkundër që nuk mund ta besonte atë që kishte ndodhur.

Liverpooli e siguroi finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve, pasi e mposhti Barcelonën në ndeshjen kthyese gjysmëfinale me rezultat 4:0 në “Anfield”. Skuadra e Jurgen Kloppit kishte pësuar disfatë 3:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në “Camp Nou”.

Pas disfatës në ndeshjen e parë, shumë tifozë kishin menduar se tashmë Liverpooli e kishte humbur një vend në finale të këtij sezoni, mirëpo golat nga Divock Origi dhe Georginio Wijnaldum e përmbysën rezultatin e përgjithshëm dhe i lanë të tronditur lojtarët e Barcelonës.

Barcelona konsiderohej favorite për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, falë edhe Lionel Messit. Megjithatë, Liverpooli arriti t’i shënojë katër gola për të fituar me rezultat të përgjithshëm 4:3 dhe e siguroi vendin në finalen e këtij sezoni.

“Është shumë e vështirë të sigurosh fitore, edhe më shumë kur ke nevojë ta mbash portën e paprekur. Nuk e di si e arritën këtë gjë”, u shpreh Kloppi pas ndeshjes.

“Ka gjëra më të rëndësishme në botë, por krijimi i kësaj atmosfere emocionale së bashku është diçka me të vërtetë e veçantë. E gjitha merita i takon lojtarëve”.

Liverpooli do ta zbulojë kundërshtarin e finales sonte, pas përballjes mes Ajaxit dhe Tottenhamit në gjysmëfinalen tjetër. Ajaxi po fiton me rezultat 1:0 dhe ndeshjen e sotshme do ta zhvillojë në shtëpi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat