Pique reagon pas disfatës tronditëse në Kupën e Mbretit

Futboll

Pique reagon pas disfatës tronditëse në Kupën e Mbretit

Më: 25 maj 2019 Në ora: 23:29
Gerard Pique

Qendërmbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, beson se ky ka qenë një sezon i mirë për klubin katalonas përkundër tronditjeve në Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Mbretit, si dhe e komentoi të ardhmen e Ernesto Valverdes në pozitën e trajnerit.

Valencia u shpall kampione e Kupës së Mbretit për të tetën herë në histori, për herë të parë që nga sezoni 2007/08, duke e mposhtur Barcelonën, që i kishte fituar katër edicionet e fundit të këtij turneu, transmeton Gazeta Express.

Kjo disfatë është tronditja e dytë për Barcelonën këtë sezon, pasi që para disa javëve Barcelona ishte zhgënjyese kundër Liverpoolit në Anfield dhe u eliminua nga Liga e Kampionëve. Tani, me këtë disfatë, “Blaugranët” nuk arritën t’i japin fund të lumtur këtij sezoni.

Barcelona, që këtë sezon e fitoi titullin e  La Ligës për herë të dytë radhazi, synonte të thyente rekord duke e fituar trofeun e Kupës së Mbretit për të pestën herë radhazi, megjithatë Valencia ia pamundësoi këtë dëshirë.

“Urime Valencias. Ishte një sezon i mirë… kur e fiton La Ligës, sezonin mund ta quash të mirë. Por, ne e mbyllin sezonin me shije paksa të hidhur pasi që gjërat mund të kishin shkuar më mirë”, ka thënë Pique.

“Nuk ka asnjë arsyetim. Me jemi Barcelona, jemi të obliguar t’i fitojmë të gjitha garat”.

“Ne duhet ta bëjmë një analizë individuale për veten tonë, për ta parë se çka mund të përmirësojmë. Ne gjithmonë kemi thënë se dëshirojmë që Valverde të vazhdojë me ne sepse ai ka bërë punë të mrekullueshme, por kjo nuk varet nga ne”.

E ardhmja e Valverdes në pozitën e trajnerit të Barcelonës nuk është aspak e sigurt, pasi që Barcelona e synonte tripletën këtë sezon, ndërsa tani ka mbetur vetëm me titullin e La Ligës.

Ky sukses i madh i Valencias filloi me golin e shënuar nga Kevin Gameiro në minutën e 21-të, që u përcoll me golin e shënuar nga Rodrigo vetëm 12 minuta më vonë. Barcelona u kthye në lojë në minutën e 73-të, përmes golit të Lionel Messit, mirëpo kjo nuk ishte e mjaftueshme për ta fituar trofeun.

Barcelona e dominoi plotësisht ndeshjen sa i përket posedimit të topit, 77 për qind me 23 për qind, dhe goditjeve drejt portës, 23 për Barcelonën në krahasim me shtatë për Valencian, megjithatë këta të fundit u treguan më të saktë para portës dhe arritën të fitojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat