Aliti: Anglia është në një nivel tjetër

Futboll

Aliti: Anglia është në një nivel tjetër

Më: 10 shtator 2019 Në ora: 15:03
Aliti: Anglia është në një nivel tjetër

Kombëtarja e Kosovës para sfidës me Kombëtaren e Anglisë, e cila luhet sot në orën 20:45 (sipas kohës në Kosovë). Atmosfera në ekipin e Dardanëve është shumë e mirë dhe të gjithë futbollistët e presin këtë duel me entuziazëm, megjithëse janë të vetëdijshëm se “Tre Luanët” janë në nivel krejt tjetër me kundërshtarët e deritashëm.

Sidoqoftë, dëshira dhe vullneti për të treguar më të mirën dhe për të dhënë maksimumin vërehet tek secili futbollist, derisa i mbetet fushës së lojës të dëshmojë nëse Dardanët do të arrijnë të vazhdojnë serinë pa humbje edhe pas këtij ballafaqimi me njërën prej kombëtareve më të forta në botë. Gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për lojë.

“Ne jemi Kosova dhe do të luajmë kundër njërës prej Kombëtareve më të mira në botë. Ne vijmë nga një fitore e rëndësishme por tepër të vështirë kundër Çekisë, derisa e dimë se Anglia i ka mposhtur çekët me rezultat 5:0 dhe kjo mbase tregon më së miri dallimin ndërmjet dy kombëtareve që do të ballafaqohen sot.

Për mua si trajner është e vështirë të japë një parashikim apo vlerësim para një ndeshje të tillë. Nëse them se kemi ardhur për fitore njerëzit mund të mendojnë se diçka nuk është në rregull dhe po e teproj. Por nëse them se futem në një ndeshje pa objektivin e fitores, atëherë ndoshta është më mirë ta ndërroj punën dhe të punoj diçka tjetër e jo trajner futbolli. Pra, kjo nënkupton që së bashku me ekipin tim të përgatitemi sa më mirë në aspektin mental para një ndeshje të këtillë”, ka theksuar Bernard Challandes.

Ndërkaq, mbrojtësi Fidan Aliti, ka theksuar se Kosova duhet të luajë me vetëbesim të njëjtë sikur ndaj Çekisë dhe nuk ia ka frikën asnjë kundërshtari. “Jemi të vetëdijshëm për cilësinë e Anglisë, por duhet të luajmë ashtu siç luajtëm kundër Çekisë me vetëbesim dhe të mos ndryshojmë filozofin e lojës tonë. Nuk kemi frikë, por kemi respekt për Anglinë sikur për të gjitha kombëtaret e tjera. Natyrisht se Anglia është në një nivel tjetër, por ne duam të japim më të mirën tonë”, ka thënë Aliti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat