Flamurtari e Prishtina në ndeshjen e 28 vjetorit

Futboll

Flamurtari e Prishtina në ndeshjen e 28 vjetorit

Më: 17 shtator 2019 Në ora: 16:01
Flamurtari e Prishtina në ndeshjen e 28 vjetorit

Çdo shtator futbollistët e gjeneratës së sakrificës dhe krenarisë, të Flamurtarit dhe të Prishtinës, kthehen në stadiumin e Flamurtarit në kryeqytet për të shënuar përvjetorin e zhvillimit të ndeshjes së parë të pavarësimit të futbollit të Kosovës.

Ashtu sikurse më 13 shtator të vitit 1991, edhe në fushën e gjelbër të këtij stadiumi zbritën ish-futbollistët e Flamurtarit dhe të Prishtinës, sikurse edhe gjyqtarët të cilët para 28 vjetësh kishin gjykuar ndeshjen e parë të futbollit të pavarur të Kosovës.

Të pranishëm ishin edhe ish-kryetari i FFK-së në atë periudhë Agim Bytyçi, i cili edhe e nisi topin nga qendra, pastaj presidenti i FFK-së Agim Ademi, ish-sekretari i atëhershëm i FFK-së, Sejdi Mërkoja dhe shumë ish-futbollistë e zyrtarë të asaj kohe në futbollin e Kosovës. Ndeshja nisi me një minutë heshtje në nderim të gjithë atyre që kontribuan për futbollin kosovar ndër vite e që më nuk janë në mesin tonë, derisa loja u zhvillua dy herë nga 20 minuta.

Pas një loje interesante dhe si gjithmonë rivalizuese ndërmjet këtyre dy skuadrave, në fund rezultati ishte i barabartë 2:2.  Golat për Prishtinën i realizuan Kushtrim Munishi e Muharrem Sahiti, derisa për Flamurtarin shënuan Huar Morina dhe Rexhep Fona.

Pas ndeshjes u organizua edhe një koktej rasti kur të pranishmit evokuan kujtime nga e kaluara e  futbollit të Kosovës. Ndërkohë, në një fjalë rasti, presidenti Agim Ademi vlerësoi lart kontributin e gjeneratave të vjetra, duke thënë se ‘falë sakrificës suaj kemi arritur këtu ku jemi, ku djemtë e Kombëtares po na bëjnë krenarë të gjithëve me lojë e me rezultate’.

Presidenti Ademi po ashtu bëri të ditur se shumë shpejt FFK do të botojë një libër “Futbolli nëpër kohë” për t’iu treguar gjeneratave të reja, por edhe opinionit botëror për sakrificën e madhe që kanë bërë ndër vite shumë gjenerata të futbollit të Kosovës deri në anëtarësimin në UEFA e FIFA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat