Ter Stegen bëhet “2 shekuj” te Barcelona, ja numrat e gjigantit të portës

Futboll

Ter Stegen bëhet “2 shekuj” te Barcelona, ja numrat e gjigantit të portës

Më: 5 tetor 2019 Në ora: 16:32
Marc-André Ter Stegen

Marc-André Ter Stegen do të luajë nesër ndeshjen e 200-të zyrtare me fanellën e Barcelonës. Pesë vite pas debutimit të tij, portieri gjerman do të futet në klubin e lojtarëve “2 shekuj”. I dashur dhe i respektuar nga fansat, Ter Stegen është pronar i portës katalanase që nga sezoni 2016-2017, kur zuri vendin e Claudio Bravo, i cili firmosi për Manchester City. Gjermani debutoi më 17 shtator 2014, në moshën 22-vjeçare, dhe prej asaj kohe ka luajtur 199 ndeshje.

Me blaugrana-t ka një bilanc mjaft pozitiv: 143 fitore, 35 barazime dhe 21 humbje. Në kapitullin e golave, ai ka pësuar 183 të tillë (me një mesatare prej 0.91 golash për ndeshje) dhe 85 herë e ka mbajtur portën të pastër.

Ky është sezoni i tij i gjashtë në “Camp Nou”. Aty mbërriti në vitin 2014 nga Borussia Mönchengladbach për 12 milionë euro, plus 750.000 euro të tjera në formë shpërblimesh. Gjermani ishte një bast i sekretarit teknik të atëhershëm, Andoni Zubizarreta, i cili e zgjodhi Ter Stegen për lojën e mrekullueshme me këmbë.

Portieri i Barcelonës, nën kontratë deri në qershor 2022, ka një klauzolë largimi prej 180 milionë eurosh. Rinovimi i fundit mes palëve u bë në fund të majit 2017. Në pesë vitet e plota si lojtar i Barçës, ai tashmë ka fituar 13 tituj, duke përfshirë 4 La Liga, 4 Kupa Mbreti dhe 1 Ligë Kampionësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat