Rashica paralajmëron Çekinë

Futboll

Rashica paralajmëron Çekinë

Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 10:56
Rashica paralajmëron Çekinë

Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur stërvitjen e dytë dhe të fundit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, para ndeshjes së të enjtes (20.45) kundër Çekisë në Plzen.

Në stërvitje mungoi sulmuesi Vedat Muriqi, i cili tashmë është konfirmuar se nuk do të jetë në gjendje për lojë në dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese, derisa Herolind Shala ka stërvitur i veçuar nga pjesa tjetër nën përkujdesjen e trajnerit kondicional dhe stafit mjekësor, të cilët po mundohen t’ia sanojnë lëndimin e këmbës, në mënyrë që ai të jetë i gatshëm për lojë. Atmosfera në ekip është shumë e mirë, derisa të gjithë futbollistët e tjerë punuan me përkushtim dhe intensitet të plotë në stërvitjen e sotme.

Rashica theksoi se në ndeshjen kundër Çekisë nuk kanë çfarë të humbin. “Të gjithë e dimë që kjo është ndeshja më e rëndësishme. Çdo ndeshje deri tani e ka pasur rëndësinë  e vet, po kjo është si finale për ne. Po mendojmë vetëm për Çekinë, të shkojmë atje e të marrim rezultat pozitiv. Nuk kemi çfarë të humbim, do të japim maksimumin dhe shpresoj se do ta fitojmë ndeshjen. Mungesa e Muriqit? Do të jetë një mungesë shumë e madhe për ne, duke ditur formën që ka pasur deri tani si me klubin si me kombëtaren. Por nuk kemi çfarë të bëjmë, futbolli i ka këto gjëra. Edhe në ndeshje të tjera na kanë munguar shumë lojtarë, por ka pasur rezultate pozitive.

Shpresojmë se edhe këtë ndeshje do ta fitojmë për shtetin tonë, për tifozët tanë dhe për të gjithë tjerët të lënduar, për Vedatin, Arbërin, Hekuranin”, ka theksuar Rashica. Ai është shprehur i gatshëm për të luajtur edhe në pozitën e sulmuesit.

“Në shumicën e ndeshjeve luaj si sulmues te Werderi dhe nuk e di me çfarë formacioni do të luajmë, por kemi edhe pak kohë për të vendosur e të shohim si do të vendosë trajneri.

Për mua nuk ka problem të luaj edhe si sulmues, por kemi lojtarë të tjerë që luajnë në pozita të ndryshme. Ajo që na ka sjellë deri këtu është grupi, kemi luajtur për njëri-tjetrin, pra kemi pika të forta në shumë vende”, ka shtuar Rashica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat