Sfida drithëruese në Angli - Bota Sot
Sfida drithëruese në Angli

Futboll

Sfida drithëruese në Angli

Më: 19 janar 2020 Në ora: 12:06
Sfida drithëruese në Angli

Pasi u bë ekipi me startin më të suksesshëm në gjithë historinë e pesë kampionateve më të rëndësishëm të Kontinentit të Vjetër Liverpooli i drejtuar nga Jurgen Klopp do të bëj çmos për ta ngritur stekën akoma më lart, pasi për më tepër përballë këtë herë qëndrojnë rivalët e urryer të Manchester United.

Dy klubet kanë një armiqësi të famshme, falë së cilës jo më kot dueli Liperpool – United është shndërruar edhe në derbin e Anglisë.

Për hir të së vërtetës këto klube ndahen nga vetëm 50 kilometra dhe armiqësia ndërmjet tyre shkon përtej arritjeve sportive, pasi gjithçka lidhet në mënyrë të mirëfilltë me vetë historinë që kanë përjetuar këto dy qytete. Në aspektin sportiv rrallëherë janë respektuar parashikimet, e në mënyrë të kuptueshme ndodh pak a shumë njësoj si edhe në ndeshjet më të rivalizuara derbi në glob. Për afërsisht tre dekada Manchester United dominoi në ishull, duke koleksionuar plot 13 tituj në elitën e futbollit anglez të klubeve.

“Djajtë e kuq” ishin vetëm me 7 trofe në First Division, praktikisht po aq sa edhe Aston Villa, përpara se të hapej epoka e re e Premier League-s, madje United ishte prapa në klasifikimin e përgjithshëm edhe pas Evertonit dhe Arsenalit, sidoqoftë historia dihet dhe durimi i drejtuesve të skuadrës për të mbajtur në timon trajnerin Alex Ferguson pavarësisht dështimeve të njëpasnjëshme në 5 vitet e para të karrierës te “red devils” u shpërblye, duke përmbysur krejtësisht hierarkitë në futbollin e këtij vendi.

Duket se një erë e re po fryn në Premiership dhe tani është koha e “djajve të kuq” për të vuajtur, duke parë rivalët e urryer nga Merseyside të dominojnë dhe të fitojnë jo vetëm në kampionatin vendas, por edhe gjithçka tjetër jashtë ishullit. Liverpuli në mënyrë të pakundërshtueshme u shpall edhe ekipi më i mirë i vitit 2019, në një kohë kur Manchester United është duke vuajtur njësoj siç vuajtën “të kuqtë”, kur refuzuan për të kuptuar realitetin dhe nuk pranuan erën e ndryshimeve apo dhe rënien e menjëhershme, pasi dominuan futbollin anglez në vitet 70-80.

Si për të kuptuar humnerën që i ndan tani këto dy klube mjafton për të parë koeficientin me të cilin i kanë vlerësuar “red devils” bookmakers-at, që i kanë dhënë miqve kuotën 8.00 apo edhe 8.50, për të dalë me fitore nga Anfield-i mitik. Nën drejtimin e 52-vjeçarit gjerman, Liverpuli ka regjistruar ecurinë e tretë më të mirë në historinë e futbollit anglez, me 38 ndeshje pa humbje, 33 fitore dhe vetëm 5 barazime gjithsej. Përpara qëndrojnë Arsenali i pathyeshëm i Wenger-it me 49 ndeshje pozitive si dhe Chelsea i jashtëzakonshëm i Mourinho-s me 40 takime pa humbje, e praktikisht skuadrat e vetme që ia kanë dalë mbanë për t’i ndalur në barazim “të kuqtë” pas disfatës së 3 janarit të vitit të kaluar, që pësuan në Etihad me City-n e Guardiolës me shifrat 2-1 janë me radhë klube si: Leicester City, West Ham, Manchester United, Everton dhe sërish Manchester United.

9 fitoret radhazi në fundin e edicionit të kaluar nuk mjaftuan për t’i dhënë titullin e parë në Premiership klubit nga Merseyside, sepse episodet, milimetrat në shumë raste, por mbi të gjitha edhe goli i jashtëzakonshëm i nxjerrë nga asgjë nga kapiteni i “citizens” Vincent Kompany bënë që titulli të mbetej në duart e kampionëve në fuqi. Ndonëse vuajti ndjeshëm në Londër në duelin me Tottenham-in, javën e kaluar Liverpooli theu edhe ato pak rekorde që kishin mbetur në Evropë dhe që pas barazimit të siguruar tre muaj më herët në “Old Trafford”, tani formacioni i drejtuar nga trajneri shvab ka filluar një tjetër ecuri pozitive me plot 12 fitore rresht.

Duke llogaritur edhe 9 fitoret radhazi me të cilat Liverpuli mbylli kampionatin e kaluar, klubi nga Merseyside tani krenohet me plot 29 fitore në 30 sfidat e fundit në Premier League. Për rrjedhojë armata e drejtuar nga Jurgen Klopp ka mbyllur çdo diskutim për çështjen e titullit në Angli, teksa kryeson e shkëputur me plot 13 pikë nga kampionët në fuqi, për më tepër më datë 29 janar në “Stratford” “të kuqtë” do të rikuperojnë gjithashtu edhe takimin e prapambetur me West Ham-in.

Në edicionin e sivjetshëm Jurgen Klopp i ka thyer të gjithë kolegët kundërshtarë, por në mënyrë të pabesueshme trajneri i mirënjohur ka dështuar për të mundur 46-vjetorin nordik Ole Gunnar Solskjaer, që në fakt vazhdon të mbetet i pamposhtur nga dy përballjet ndërmjet tyre. Jurgen Klopp ka rikuperuar dyshen Fabinho – Matip, ndërkaq Liverpooli nuk do të ketë në dispozicion lojtarë si James Milner, Dejan Lovren dhe Naby Keita, ndërsa në krahun tjetër në dyshim për shkak të dhimbjeve në shpinë mbetet sulmuesi kryesor i ekipit Marcus Rashford.

Leicester City është ekipi i fundit që ka ndalur “të kuqtë” në Merseyside dhe Liverpuli që nuk ka pësuar gol në 6 ndeshjet e fundit në kampionat, praktikisht që nga rreshtimi në qendër i mbrojtësit Joe Gomez në krah të shtatlartit Virgil van Dijk ka një rast të shkëlqyer për të regjistruar fitoren e 19 radhazi në Premiership, brenda në Anfield, për t’iu afruar në këtë mënyrë akoma më shumë rekordit historik të klubit me 21 fitore rresht në 1972 e largët.

Për të kuptuar diferencën e madhe që kanë aktualisht dy klubet edicionin e kaluar Liverpuli e mbylli sezonin me 31 pikë më shumë se sa ekipi i drejtuar nga trajneri norvegjez, ndërsa për momentin pas vetëm 21 javëve “të kuqtë” numërojnë” që tani plot 27 pikë më shumë se sa rivalët e përjetshëm, për më tepër edhe në katër vizitat e fundit në Anfiled, United ia ka dalë për të shënuar thjesht një gol të vetëm. Derbi i Anglisë do të luhet në orën 17:30 dhe i është besuar 40-vjeçarit nga Shefilldi Craig Pawson.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat