Bardhi: Ndeshja ndaj Kosovës shumë e rëndësishme dhe historike - Bota Sot
Bardhi: Ndeshja ndaj Kosovës shumë e rëndësishme dhe historike

Futboll

Bardhi: Ndeshja ndaj Kosovës shumë e rëndësishme dhe historike

Më: 28 prill 2020 Në ora: 21:23
Enis Bardhi

Enis Bardhi, futbollisti shqiptar i Maqedonisë së Veriut, e ka quajtur shumë të rëndësishme dhe historike ndeshjen ndaj Kosovës në play-off për kualifikim në Kampionatin Evropian.

Fantazisti shqiptar ishte sot në një lidhje direkte me emisionin “FanZone” në ekranin e Supersport, ku foli për ndeshjet e Play Off-it me Kosovën, situatën me koronavirusin dhe planet për të ardhmen.

Si po e prisni ndeshjen me Kosovën?

Me Kosovën do jetë një ndeshje shumë e bukur. Shpresoj që të jetë një lojë si të tjerat, shpresoj që të rikthehemi shpejt në fushën e lojës dhe ta presim me emocion atë ndeshje. Dua që ta luajmë me tifozë, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe historike. Të dyja kombëtaret do të përpiqen të shkojnë në Europian. Në fushë jemi të gjithë profesionistë dhe do luajmë për fitoren. Tifozët duhet të shijojnë ndeshjen. Kosova ka ecur shumë, e kam ndjekur në shumë ndeshje dhe ka shumë kualitete.

Sa e veçantë është kjo ndeshje për ju?

Nënën e kam nga Kosova babain nga Maqedonia, dhe shpresoj ta fitoj ai që e meriton. Unë besoj te eksperienca që kemi ne, pasi kemi bërë shumë ndeshje bashkë. Shpresoj që të jemi të gjithë në formë dhe të marrim fitoren.

Kur pritet të rifilloni stërvitjen?

U tha se mund të nisnim stërvitjen individualë në fushë në 4 maj, por për shkak të të prekurve që raportohen nga dita në ditë, u shty dhe mendoj se do të rinisim në 11 maj.

Ku e shihni veten në të ardhmen?

Ka pasur interesime për mua, por është koha e koronavirusit dhe për momentin nuk kemi asgjë konkrete. Por nëse do jetë mundësia për një lëvizje, do e shikoja mirë. Më pëlqen shumë La Liga, ndonëse do kisha dëshirë të provoja një kampionat tjetër, por të shikojmë të ardhmes nuk i dihet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat