Stambolli refuzon finalen pa tifozë - Bota Sot
Stambolli refuzon finalen pa tifozë

Futboll

Stambolli refuzon finalen pa tifozë

Më: 30 maj 2020 Në ora: 13:51
Stambolli refuzon finalen pa tifozë

Pas Bundesligës edhe ligat e tjera europiane janë gati të startojnë brenda muajit qershor, ndërsa UEFA tani ka nisur llogaritë për të përpiluar kalendarin e ndeshjeve të mbetura të Champions dhe Europa League.

Megjithatë sipas New York Times, Stambolli ka refuzuar të presë finalen e Ligës së Kampionëve, që paraprakisht është menduar të zhvillohet më 29 gusht, pasi për qytetin turk nuk përbën interes një ndeshje pa praninë e tifozëve.

Lajmi i medias prestigjoze amerikane ka bërë shpejt xhiron e botës, ndërsa burime nga zyrat e UEFA-s nuk e përgënjeshtrojnë, madje shtojnë se qeveria europiane e futbollit po studion një tjetër alternativë për finalen.

“Kalendari dhe formati janë ende të hapur dhe gjithçka do të vendoset në mbledhjen e Ekzekutivit më 17 qershor”, mësohet të ketë deklaruar një zyrtar i UEFA-s, për FrancePress, ndërsa ka pranuar gjithashtu edhe refuzimin e Stambollit për të pritur finalen pa tifozë.

Në këto kushte, UEFA pritet të marrë në konsideratë zhvillimin e ndeshjes me tifozë në Stamboll, gjithnjë nëse autoritetet turke do të lejojnë diçka të tillë, ose të gjejë një tjetër stadium për të pritur finalen dhe kryeqendrës turke t’ia kompensojë në një tjetër edicion.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat