Conte beson se Interi ende ka gjasa për titull - Bota Sot
Conte beson se Interi ende ka gjasa për titull

Futboll

Conte beson se Interi ende ka gjasa për titull

Më: 20 qershor 2020 Në ora: 17:17
Antonio Conte

Trajneri i Interit, Antonio Conte ka refuzuar të dorëzohet sa i takon garës për titull në Serie A të Italisë. Sipas tij Interi ende ka gjasa të fitojë titullin, ndonëse është nëntë pikë prapa liderit, Juventusit.

Conte, që është në edicionin debutues te Interi, ka thënë se nuk ka limite për skuadrën e tij. Serie A vazhdon sot, ndërsa Interi luan të dielën nga ora 21:45 ndaj Sampdorias. Interi është i treti me 54 pikë. Juventusi prinë me 63 pikë kurse Lazio është e dyta me 62 pikë. Interi ka një ndeshje më pak të luajtur.

“Fitorja eventuale e së dielës nënkupton afrim në gjashtë pikë me liderin, ndërsa janë edhe 12 ndeshje. Nuk është një pikë që nuk mund të arrihet. Ne kemi punuar shumë dhe me intensitet. Po ndihem pozitiv”, ka thënë Conte për televizionin e Interit.

“Ne duam të kompletojmë pjesën finale të ligës duke luajtur në nivel maksimal. Kemi më pak hapsirë për gabim se ata para nesh, por kemi dëshirën, entuziazmin dhe pasionin”, ka theksuar Conte.

Interi kishte humbur nga Juventusi dhe Lazio në dy ndeshjet e fundit në mars.

Sipas Contes zhvillimi ndeshjeve vonë në mbrëmje dhe temperaturat e larta të verës janë sfida të reja.

“Të planifikohet një ndeshje që fillon në ora 21:45 kërkon vëmendje në detaje, në atë se si do të organizojmë ndeshjen. Mëngjesi, dreka dhe pushimi duhet të konsiderohen. Sa i takon tifozëve, qartë se për ata do të jetë e vështirë që mos të vijnë në stadium. Edhe ne do të ndiejmë mungesën e tyre. Ne shpresojmë se kjo periudhë e komplikuar do të kalojë, pasi na duhet normaliteti dhe që tifozët të kthehen në stadiume. Do të luajmë çdo tri apo katër ditë. Temperatura e lartë do të jetë faktor dhe na duhen të gjithë lojtarët. Ne kemi punuar duke pasur këtë në mendje dhe duke u munduar të përfshijmë të gjithë”, ka thënë trajneri i njohur italian.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat