Willian e lë Chelsean, i bashkohet Arsenalit

Futboll

Willian e lë Chelsean, i bashkohet Arsenalit

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 11:14
Willian e lë Chelsean, i bashkohet Arsenalit

Arsenali e ka konfirmuar ardhjen e Willian nga Chelsea si transferim i lirë, pasi brazilianit i skadoi kontratë me të Kaltrit e Londrës dhe nuk pranoi të nënshkruante kontratë të re.

31-vjeçari ishte lojtar i lirë këtë verë pasi që ai e refuzoi ofertën e fundit të Chelseat për vazhdimin e kontratës për edhe dy vjet të tjera, sepse dëshironte t’i garantoheshin edhe tri sezone.

Edhe Manchester United dhe Manchester City kishin shprehur interesim për të, por Arsenal e ka fituar garën për brazilianin sepse klubi nga Londra veriore ia ka plotësuar kushtet duke i ofruar kontratë trevjeçare.

Willian do ta veshë fanellën me numër 12 në Arsenal, ndërsa trajneri Mikel Arteta u shpreh i lumtur që do ta ketë atë pjesë të skuadrës.

“Unë besoj se ai është një lojtar që mund ta bëjë me të vërtetë dallimin për ne. Ne kemi qenë duke e monitoruar atë gjatë muajve të fundit dhe synonim ta përforcojmë sulmin. Willian është një lojtar që na jep shumë opsione pasi që mund të luajë në tri apo katër pozita”, ka thënë Arteta.

“Ai ka provuar çdo gjë në botën e futbollit, por ende e kishte ambicien të vijë këtu dhe të kontribuojë për ta kthyer klubin aty ku përket. Me të vërtetë më ka impresionuar përmes bisedave që i kemi pasur me të”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat