Tejkaloi 100 gola me Portugalinë, Pele “ngre në qiell” Ronaldon

Futboll

Tejkaloi 100 gola me Portugalinë, Pele “ngre në qiell” Ronaldon

Më: 9 shtator 2020 Në ora: 18:17
Pele, Ronaldon

Pele i madh i Brazilit e ka uruar Cristiano Ronaldon për tejkalimin e 100 golave ​​ndërkombëtarë me Portugalinë. 36-vjeçari shënoi dopietë mbrëmë, në fitoren 2-0 të të tijve ndaj Suedisë, në Ligën e Kombeve, për të arritur shifrën mbresëlënëse të 101 golave me luzitanët. Ronaldo tani është vetëm 8 gola larg rekordit botëror në këtë drejtim, që mbahet nga legjenda iraniane, Ali Daei.

Pele, i cili vetë shënoi 77 gola për Brazilin, ishte i shpejtë në përgëzimin që i bëri yllit të Juventusit. “Mendova se do të festonim 100 gola sot. Por në të vërtetë ishin 101! Urime @Cristiano, ndërsa ju shtyj të arrini lartësi të reja në udhëtimin tuaj”, – shkroi Pele në Twitter.

Ronaldo u përshkrua kohët e fundit nga Pele si “sportisti modern, i cili iu tregon të gjithëve se suksesi vjen gjithmonë tek ata që janë të përkushtuar dhe e duan atë që bëjnë”. Legjenda braziliane, gjithashtu, ka zbuluar më parë se beson që Ronaldo është lojtari më i qëndrueshëm aktual: “Tani për tani mendoj se Cristiano Ronaldo është lojtari më i qëndrueshëm, por nuk mund ta harrosh Lionel Messin”.

Kur u pyet nëse ai ishte më i mirë se Ronaldo dhe Messi, 79-vjeçari u përgjigj: “Kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur. Unë jam pyetur shumë here për këtë. Ne nuk duhet të harrojmë Zico dhe Ronaldinho. Njerëzit gjithmonë flasin për lojtarët europianë si Franz Beckenbauer dhe Johan Cruyff. Nuk është faji im, por mendoj se isha më i mirë se të gjithë. Do të jetë vetëm një Pele. Nuk do të jetë askush tjetër si unë”.

Ish-shoku i Ronaldos te Manchester United, Gary Neville, beson se ylli portugez mund të ketë synim tejkalimin e golave të Pele në karrierë: “Ronaldo është maniak për të shënuar gola dhe për ta konfirmuar veten çdo ditë, duke qenë më i aftë se mund të jetë. Unë mendoj se e ka rritur profesionalizmin e tij çdo vit dhe ka përparuar. Cristiano e ka në plan për të vazhduar kështu dhe thyer rekordin e Pele për golat më të shumtë në karrierë. Ai dëshiron të jetë më i madhi i të gjitha kohërave dhe ky është qëllimi i tij i vetëm”.

Braziliani besohet të ketë shënuar 767 gola konkurrues gjatë karrierës së tij vezulluese, me Ronaldon që tani ndodhet në kuotën e 739 “rrjetave” në total.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat