Starte sezonale shumë negative për Juven e Barçën

Futboll

Starte sezonale shumë negative për Juven e Barçën

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 16:45
Starte sezonale shumë negative për Juven e Barçën

Juventus-Barcelona në dy precedentët e fundit ishte edhe sfida e dy skuadrave kampione të padiskutueshme në kampionatet respektive, por tri vite më pas gjërat nuk janë më si më parë.

Duke parë fytyrat e reja në radhët e dy ekipeve, të cilat kanë bërë mjaft ndryshime, duke nisur mbi të gjitha nga stoli dhe ideologjitë që kanë sjellë trajnerët e tyre të rinj, si “Zonja e Vjetër”, ashtu sikurse katalanasit po punojnë për të gjetur ata ekuilibra të munguar që janë shumë të dukshme në këto javë të para të sezonit 2020-2021.

E thënë ndryshe, sot në “Allianz Stadium” përplasen jo vetëm emra të mëdhenj, por në të njëjtën kohë edhe dy “kantiere të hapura ndërtimi”, të cilat janë në kërkim identiteti. Për sa i përket Juventusit, kishte të paktën 10 vite që bardhezinjtë në pesë ndeshjet e para të Serisë A fitonin vetëm dy prej tyre, duke menduar se po flasim për 9 herë kampionët radhazi të elitës së futbollit italian. Ndërsa për Barcelonën statistikat janë edhe më të shëmtuara, më të frikshme, duke qenë se një fillim kaq i dobët nuk ndodhte që nga viti i largët 1995.

Dy fitoret e para ndaj Vijarealit dhe Getafes, respektivisht 4-0 dhe 3-0, ishin thjesht një mirazh, duke qenë se në tri sfidat që pasuan, ndaj Sevijes, Getafes e Realit të Madridit, Barcelona grumbulloi vetëm 1 pikë (barazim me Sevijen).

Për të mos folur pastaj vetëm për 3 gola të shënuar dhe 5 të pësuar dhe një lojë që nuk po hyn ende në ingranazhet e duhura. Gjithsesi, shpesh ndodh që nevojitet një shkëndijë e fortë, një ndeshje e madhe dhe një mbrëmje perfekte që sezoni i nisur keq të marrë rrugën e duhur.

Dhe pa dyshim që Juventusi, ashtu sikurse Barce lona, do të kërkojnë që ta fitojnë duelin e sotëm, për të marrë atë dozën e duhur të “vitaminave”, për të rigjetur identitetin e duhur… Por edhe marshin e duhur, ai që nevojitet për të hapur një seri rezultatesh pozitive, që do të rikthente në normalitet këto dy klube madhështore të kontinentit të vjetër...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat