Kalendari favorizon Teutën

Futboll

Kalendari favorizon Teutën

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 15:20
Kalendari favorizon Teutën

Me disfatën në Laç, Teuta humbi një shans të mirë për t’iu afruar kreut, që për skuadrën bregdetare është asisti i dytë që shpërdorojnë, pasi një javë më parë nuk arritën të përfitonin nga barazimi i Vllaznisë kryesuese me Kastriotin, duke duke ngecur ndaj Partizanit dhe këtë të diel nuk shërbeu as barazimi i shkodranëve në “Elbasan Arena”.

Teutës i mungojnë pikët me rivalët direkt dhe në një kampionat me 4 faza, ku përballjet me secilin prej tyre janë të shpeshta, janë ato pikët vendimtare që vendosin në një luftë të ashpër për zonën e lartë të klasifikimit. Pretendente për titullin, me një objektiv të shpalosur qartazi që në fillim të sezonit, te Teuta duhet ndoshta të gjejnë më shumë guxim në fushën e lojës në mënyrë që rezultatet t’u përgjigjen ambicieve.

Në krahasim me rivalët e fillim tabelës, skuadra e drejtuar nga Edi Martini është ajo që numëron më pak fitore deri në këtë moment të kampionatit, 6, dy më pak se Kukësi, një më pak se Partizani e Laçi dhe 4 më pak se Vllaznia.

Ndër to në përballjet direkte spikat vetëm suksesi ndaj Tiranës në nëntorin e kaluar dhe ajo në fund të vitit që lamë pas ndaj një Kukësi të zhytur në krizë. Mbi të gjitha nëse i hedh një sy fitoreve durrsake, ajo që spikat është se bregdetarët vetëm në një rast kanë marrë pikët e plota në ndeshjet në shtëpi, vetëm një fitore ndaj Bylisit në “Niko Dovana”.

Pavarësisht zbehjes së efektit të faktorit fushë me mungesën e tifozëve, shumë pak për një skuadër që synon titullin kampion. Një mangësi për t’u rikuperuar në takimet e radhës, ku Teuta shikon si aleat edhe kalendarin, pasi ka dy ndeshje radhazi në shtëpi, fillimisht ndaj Apolonisë dhe pastaj përballë Skënderbeut, një asist që këtë herë bregdetarët nuk kanë luksin që ta shpërdorojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat