Arsenali përgatitet për revolucion

Futboll

Arsenali përgatitet për revolucion

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 11:19
Arsenali përgatitet për revolucion

Gabimet e shpeshta në merkato, rënia e të ardhurave e shkaktuar prej pandemisë dhe rreziku që për herë të parë që prej vitit 1995 të mos kualifikohen në kupat e Europës, kanë bërë që drejtuesit e Arsenalit të përgatisin një revolucion të vërtetë këtë verë.

Mediat pranë klubit londinez zbulojnë se drejtuesit po bashkëpunojnë ngushtësisht me trajnerin Mikel Arteta, për të larguar futbollistët me paga të larta në skuadër dhe për të afruar elementë të rinj me perspektivë.

Emrat më të rrezikuar për të lënë Londrën janë mbrojtësi brazilian David Luiz dhe sulmuesi francez Alexander Lacazette. Të parit i skadon kontrata në fund të sezonit dhe te Arsenali nuk kanë ndërmend t’i ofrojnë rinovimin, qoftë edhe për faktin se ka një pagë të majme prej 120 mijë paundësh në javë.

Ndryshe është situata për sulmuesin francez, i cili është një element i rëndësishëm për skuadrën e Artetës, por i skadon kontrata në verën e 2022-shit dhe drejtuesit e klubit kanë shprehur gatishmërinë për rinovim vetëm me pagë më të ulët.

Aktualisht Lacazette përfiton rreth 150 mijë paundë në javë dhe nëse nuk pranon të rinovojë me reduktim page, atëherë pritet të shitet gjatë kësaj vere, për të mos u humbur me parametra zero një vit më vonë.

Të sigurt për t’u shitur janë edhe dy mesfushorët Matteo Guendouzi e Lucas Torreira, të cilat aktualisht janë në huazim te Hertha Berlin dhe Atletico Madrid, ndërsa nga kartonët e tyre Arsenal pret të përfitojë rreth 50 milionë euro.

Emrat e tjerë me valixhet gati janë mbrojtësi Sead Kolasinac, Willock, Maitland-niles dhe të rinjtë Nketiah e Nelson, të cilët mund të jepen në huazim dhe duke u shtuar edhe largimet e janarit si Ozil, Mustafi e Papastathopoulos, pritet të kursejnë ndjeshëm para nga arkat e klubit.

Sa i përket merkatos në hyrje, drejtuesit e Arsenalit kanë ndërmend të blejnë plotësisht kartonët e mesfushorëve Dani Ceballos e Odegaard, të cilët kanë ardhur në huazim nga Reali i Madridit, por edhe Mat Ryan, i ardhur në huazim nga Brighton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat