Selmanaj: Golat kuqezi, të veçantë

Futboll

Selmanaj: Golat kuqezi, të veçantë

Më: 5 mars 2021 Në ora: 11:48
Selmanaj: Golat kuqezi, të veçantë

Roald Halimi dhe Halim Selmanaj ishin protagonistë absolutë të Kombëtares shqiptaret futsallit në fitoren 3-2 ndaj Danimarkës, sfidë e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian 2022. Falë golave të tyre Shqipëria e futbollit të sallës arriti të marrë 3 pikë me vlera në turneun më të rëndësishëm kontinental.

Në prononcimin e tij pas ndeshjes kapiteni Roald Halimajt shprehet mjaft i lumtur për këtë sukses dhe ka besim se kjo fitore do t’i motivojë kuqezinjtë, që të bëjnë paraqitje edhe më të mira në të ardhmen. Përveç golit të shënuar Halimi u shfaq një lider në fushë, duke udhëhequr manovrën e skuadrës në çdo moment dhe duke sakrifikuar deri në fund.

“I analizuam bashkë me trajnerin gabimet që bëmë në ndeshjen e parë ndaj Danimarkës dhe u përpoqëm t’i korrigjonim ato. Në pjesën e parë thuajse nuk u dhamë asnjë shans danezëve dhe jam shumë krenar me të gjithë djemtë për paraqitjen që bëmë sot. Ua thashë në fund të pjesës së parë: Ky është ekipi i Shqipërisë që njoh unë!

E ardhmja duket e bukur, janë disa djem të rinj që e kanë të ardhmen mjaft të mirë. Ne lojtarët që jemi më veteranë në ekip duhet t’i ndihmojmë më shumë. Kemi bërë hapa përpara e për këtë arsye më djeg ajo humbje e parë me Danimarkën. Ne jemi gati të përballemi si të barabartë me ekipe si Kroacia dhe Ukraina, nuk besoj se kemi asgjë më pak se ata. Dihet që është koha të kemi prurje të reja, më të rinj në moshë, duhet një rifreskim i ekipit”, – deklaroi Halimi pas suksesit me danezët në prononcimin e dhënë për Fshf.org.

Halim Selmanaj ishte lojtari i ndeshjes për kuqezinjtë, pasi realizoi dy nga 3 golat e Shqipërisë, ndërkohë që goli i avantazhit ishte një kryevepër e vërtetë pas një aksioni individual. Futbollisti shqiptar shprehet se suksesi ishte i merituar, teksa është ndierë shumë i lumtur arriti të gjente rrugën e rrjetës ndaj danezëve.

“Ishte një fitore e merituar, mendoj se e gjithë skuadra bëri një paraqitje shumë të mirë. Është ndjesi shumë e bukur të përfaqësosh Shqipërinë, sidomos këtu në Tiranë.

Mendoj se edhe ndeshjen e djeshme e humbëm thjeshtë nga dëshira e madhe për të fituar, por ishte një test dhe një mundësi, që ne të ulnim kokën dhe të punojmë edhe më shumë. Besoj shumë te ky grup lojtarësh dhe tek e ardhmja e këtij ekipi dhe besoj se do të bëjmë edhe më mirë në ndeshjet e ardhshme. Është një grup edhe më i vështirë nga sa e kishim menduar, por duke punuar fort shpresojmë të dalim sa më mirë. Jam shumë i kënaqur për golat e realizuar sot, por edhe me grupin. Gjithmonë është kënaqësi e veçantë kur shënon me Shqipërinë, besoj se do të vazhdoj përsëri të shënoj e ta ndihmoj skuadrën”, – deklaroi Selmanaj për Fshf.org.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat