Berisha e Zeneli rrezikojnë karantinimin nëse i bashkohen Kosovës

Futboll

Berisha e Zeneli rrezikojnë karantinimin nëse i bashkohen Kosovës

Më: 11 mars 2021 Në ora: 11:56
Berisha e Zeneli rrezikojnë karantinimin nëse i bashkohen Kosovës

Dy prej futbollistëve të formacionit bazë të Përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha e Arbër Zeneli, rrezikojnë karantinimin prej shtatë ditëve nëse u bashkohen “Dardanëve” për ndeshjet e këtij muaji.

E pikërisht karantinimi i këtyre dy futbollistëve kur të kthehen në Francë pas grumbullimit me Kosovën, po e shqetëson trajnerin e skuadrës së Reimsit, David Guion, kanë shkruar mediumet franceze të mërkurën. Guion ka pranuar se do të dëshironte që futbollistët e tij të mos bashkohen me përfaqësueset e tyre për datat e lira të FIFA-s, sepse mund të ketë mungesa të shumta për ndeshjen kampionale kundër Rennesit, që zhvillohet më 4 prill.

Në fakt dhjetë futbollistë të Reimsit rrezikojnë karantinimin prej shtatë ditëve nëse u përgjigjen ftesave të përfaqësueseve të tyre. Prej datës 18 mars Qeveria e Francës fut në fuqi masat e reja për t’u mbrojtur nga përhapja e koronavirusit.

Dhe në kuadër të këtyre masave të gjithë udhëtarët që futen në Francë nga shtetet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian duhet patjetër të karantinohen për shtatë ditë. Këtu nuk bëjnë përjashtim as sportistët.

Ligue 1 ka shikuar mundësinë për ta shtyrë xhiron e 31-të, që është e paraparë të zhvillohet më 3 dhe 4 prill, por e ka të pamundur për shkak të orarit të stërngarkuar të ndeshjeve. Kështu që, Reimsi është njëri prej disa klubeve të prekura nga ky problem dhe trajneri i Reimsit po shpreson te FIFA që të gjejë një zgjidhje për ta rregulluar këtë çështje, siç e ka quajtur ai delikate.

“Ne tashmë kemi filluar të flasim për këtë çështje me futbollistët. Është një çështje delikate dhe për këtë arsye tashmë lojtarët i kemi njoftuar për situatën”, është shprehur Guion. “Unë nuk dua që lojtarët të largohen, sepse nuk mund t’i përdori ata për ndeshjen kampionale kundër Reimsit, të cilën e kemi menjëherë pas dueleve ndërkombëtare. Kështu që ne do të shikojmë kah FIFA me shpresën që do ta rregullojë këtë çështje”.

Te Përfaqësuesja e Kosovës llogarisin në të gjithë futbollistët, përfshirë edhe Berishën e Zenelin të Reimsit. Berisha e Zeneli rregullisht ftohen nga përzgjedhësi Bernard Challandes. Kosova do të grumbullohet më 22 mars dhe brenda këtij muaji do t’i luajë tri ndeshje, një miqësore dhe dy në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Katari 2022”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat