Kampionati i shkollave 9-vjeçare për femra po ndihmon në masivizimin e futbollit

Futboll

Kampionati i shkollave 9-vjeçare për femra po ndihmon në masivizimin e futbollit

Më: 14 mars 2021 Në ora: 11:56
Kampionati i shkollave 9-vjeçare për femra po ndihmon në masivizimin e futbollit

Futbolli i femrave dhe fëmijëve në Shqipëri është një nga prioritetet kryesore të Federatës Shqiptare të Futbollit. Për të folur mbi projektet që Federata Shqiptare e Futbollit ka për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit të fëmijëve dhe të femrave, si dhe për vlerat e futbollit, pjesë e emisionit “Pasditja ime lejla”, në Televizionin Publik Shqiptar ka qenë i ftuar Përgjegjësi i futbollit të fëmijëve dhe projekteve në FSHF, Andi Zëre.

Zëre u shpreh se futbolli i femrave tashmë është i pranishëm në shoqërinë shqiptare, duke njohur zhvillim në të gjithë zinxhirin e tij. “Futbolli i femrave është prezent tashmë. Kemi Kombëtare femrash, Kombëtarja A, Kombëtarja U-19, Kombëtarja U-17. Kemi kampionatin e Kategorisë Superiore të femrave si dhe kampionate rajonale, të grupmoshave. Futbolli ka një zhvillimi në të gjithë zinxhirin e tij.”- tha Andi Zëre.

Më tej ai foli për projektin e fundit të ndërmarrë nga Federata Shqiptare e Futbollit, në lidhje me futbollin për femra në shkollat 9-vjeçare, duke theksuar se është e rëndësishme që fëmijët të fillojnë të ndjekin futbollin që në moshë të vogël. “Sa më herët të fillojnë fëmijët të luajnë futboll, aq më mirë.

Fëmijët fillojnë ta përvetësojnë sportin që në atë moshë dhe e ndjekin përgjatë jetës së tyre,. Projekti ynë fillon me grupmoshat U-13, që janë vajza 10, 11 dhe 12 vjeçe.Projekti i fundit është shumë i rëndësishëm sepse ndihmon në masivizimin e futbollit. Qëllimet e projekteve janë që të promovojnë futbollin dhe ta dërgojnë futbollin aty ku janë fëmijët.

Ne besojmë që sporti në përgjithësi dhe futbolli në veçanti është një e drejtë, jo privilegj dhe i takon të prezantohet te çdo fëmijë”- vijoi Zëre duke thënë duke theksuar se është shtuar interesi nga ana e prindërve për të bërë vajzat e tyre pjesë të futbollit. “Ka interes dhe entuziazëm nga prindërit që kanë vajza”- shtoi Përgjegjësi i futbollit të fëmijëve dhe projekteve në FSHF.

Profesori i edukimit fizik në shkollën “Jeronim De Rada”, Klodjan Kasa foli për kampionatin e organizuar nga FSHF-ja.  “Ne jemi kampionë në Tiranë për futbollin e femrave. Në kampionatin aktual që zhvillohet nga FSHF-ja ne jemi në vendin e parë. Në shkollën tonë zhvillohen shumë aktivitete, por këto vajza kanë dëshirë maksimale të merren me futbollin”- tha Kasa.

Nxënëset e shkollës “Jeronim De Rada”, Sibora Bashllari dhe Abrienda Bajrakrari folën për fillesat e para në futboll dhe për kampionatin e shkollave, duke u shprehur mjaft të lumtura për këtë projekt të ndërmarrë nga Federata Shqiptare e Futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat