Aliti e pranon se përballja me Suedinë nuk do të jetë aspak e lehtë

Futboll

Aliti e pranon se përballja me Suedinë nuk do të jetë aspak e lehtë

Më: 18 mars 2021 Në ora: 17:40
Aliti e pranon se përballja me Suedinë nuk do të jetë aspak e lehtë

Mbrojtësit e Kombëtares së Kosovës, Fidan Aliti e Ibrahim Dresheviq, janë të gatshëm të përballen me Suedinë, e sidomos me sulmuesin Zlatan Ibrahimoviq fundjavën e ardhshme në kuadër të eliminatoreve për botërorin “Katari 2024”.

“Zlatani është një lojtar i shkëlqyeshëm, një top lojtar. Fakti që ai është pjesë e Suedisë, sigurisht se e ngrit ekipin më shumë. Nëse e takoj, është kënaqësi. Është një lojtar të cilin gjithmonë e kam shikuar. Ai ka luajtur në skuadrat më të mëdha dhe ligat më të mëdha të Evropës”, ka thënë Dresheviq, që është pjesë e Heerenveenit për “Aftonbladet”, transmeton EO.

“ Do të jetë një ndeshje e veçantë dhe argëtuese për mua që jam rritur në Suedi. Suedia është favorite, por ne dalim për të fituar. Taktikisht, ne do të luajmë në të njëjtën mënyrë, mendoj, pavarësisht nëse Zlatani është i përfshirë apo jo”.

Ngjashëm sikur Dresheviqi mendon edhe Aliti që është pjesë e skuadrës së Zuerichut. Edhe Aliti ka pranuar se përballja me Suedinë nuk do të jetë aspak e lehtë, por beson se Kosova do të jetë e gatshme për ta dëshmuar veten.

Dresheviq këtë sezon ka 23 paraqitje në kampionatin holandez dhe dy asistime derisa Aliti ka shënuar një gol në 22 ndeshje në Zvicër.

“Do të jetë kënaqësi të takohemi me Suedinë, sepse unë kam luajtur në atë vend, dhe me disa prej lojtarëve që janë përfshirë në ekip. Nuk do të jetë lehtë, sepse përballemi me një ekip të fortë, por ne do të japim më të mirën nga vetja dhe do të luftojmë për vendin tonë”, është shprehur Aliti.

Aliti ka folur edhe për kthimin e Ibrahimoviqit te Suedia, duke bërë me dije se aspak nuk frikësohet nga përballja me yllin e skuadrës së Milanit. Megjithatë, ai ka pranuar se për Kosovën do të jetë dyfish më vështirë të përballet me Suedinë nëse në formacion do të jetë Ibrahimoviqi.

“Natyrisht, do të jetë vështirë, por Ibra nuk ka luajtur për disa vite me Suedinë. Dhe, kjo mund të jetë pozitive për ne, pasi i gjithë ekipi suedez do të mundohet të luajë për Zlatanin, pra do të duhet të ndryshojnë sistemin e lojës”, ka thënë Aliti.

“Kam respekt të madh për karrierën e Ibrahimoviqit, por nuk është se kam frikë nga përballja me të. Në fakt, dua t’i tregoj se sa i mirë jam”.Kosova grumbullimin për ndeshjet e këtij muaji do ta nisë të hënën në mbrëmje me stërvitjen e parë që do ta mbajë në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.

Katër ditë para duelit me Suedinë, Kosova do ta luajë miqësoren në Prishtinë kundër Lituanisë, kurse më 31 mars do të përballet në udhëtim me Spanjën në kuadër të eliminatoreve për botërorin “Katari 2022”. Pjesë e këtij grupi kualifikues janë edhe Greqia e Suedia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat