Grima e Rrahmani vlerësojnë paraqitjen e ekipit kuqezi

Futboll

Grima e Rrahmani vlerësojnë paraqitjen e ekipit kuqezi

Më: 10 prill 2021 Në ora: 11:52
Grima e Rrahmani vlerësojnë paraqitjen e ekipit kuqezi

Trajneri i Kombëtares shqiptare të femrave, Armir Grima dhe kapitenia e ekipit, Albina Rrahmani u prononcuan për Fshf.org pas ndeshjes miqësore ndaj Bosnje-Hercegovinës, të zhvilluar këtë të premte në qytetin e Zenicës.

Tekniku kuqezi u shpreh i kënaqur nga ekipi dhe ndeshja e zhvilluar. Grima theksoi se kjo miqësore shërbeu për të parë elementet e reja, duke theksuar se duhet të punojnë fort për të qenë pjesë e skuadrës.

“Besoj që ishte ndeshje mjaft e mirë. Kam mbetur i kënaqur nga kjo miqësore dhe nga vajzat që luajtën dhe nga ato që debutuan sot për herë të parë.

Mendoj se na pret një punë e madhe. Vajzat duhet të kuptojnë se duhet shumë punë edhe duhet të kenë merita edhe në skuadrat e tyre për të qenë pjesë e skuadrës Kombëtare. Niveli i Kombëtares tonë po rritet dita-ditës, kështu që pa punë, pa përpjekje dhe pa dëshirë nuk mund të jenë pjesë e ekipit Kombëtar.

Ndeshja ishte siç thashë mjaft e mirë, ato ide që kishim besoj se i realizuam dhe kjo miqësore na shërbeu për të parë elementet e reja. Na dha një shpresë të mirë për 2-3 vajza që mendojmë se mund të jenë pjesë e ekipit Kombëtar”, – tha Grima.

Për Fshf.org u prononcua edhe kapitenia e ekipit, Albina Rrahmani, e cila vlerësoi paraqitjen e vajzave dhe theksoi se skuadra po përgatitet për kualifikueset e ardhshme.

“Ishte një ndeshje miqësore, e para e këtij viti, pas shumë vështirësive duke pasur parasysh situatën me Covid, mungesën e të gjitha lojtareve që luajnë jashtë. Pavarësisht këtyre, jam e kënaqur me paraqitjen e ekipit.

Angazhimi i lojtareve ishte ajo që si gjithmonë e karakterizon ekipin tonë. Vajzat nuk kursyen asgjë, bëmë maksimumin. Mund edhe të kishim shënuar pasi kishim shumë raste.

Kemi shumë gjëra për të përmirësuar, stafi po punon shumë për këtë gjë dhe po na ndihmojnë edhe kur nuk jemi në grumbullim.

Po punojmë shumë që të përgatitemi për kualifikueset e ardhshme dhe këto janë ndeshje që na ndihmojnë shumë”, – përfundoi Albina Rrahmani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat