Pengu i Fergusonit

Futboll

Pengu i Fergusonit

Më: 22 maj 2021 Në ora: 14:31
Pengu i Fergusonit

Aleks Ferguson ka fituar thuajse gjithçka në karrierën e tij si trajner, me kulmin te Mançester Junajtid ku ndërtoi për 27 vite një cikël të pashembullt fitoresh. Por gjithsesi, edhe skocezi ka pengjet e tij dhe një prej tyre është një disfatë në finalen e Ligës së Kampioneve që vazhdon ta kujtojë edhe sot e kësaj dite.

Atij i kujtohet ende ajo finale e humbur në vitin 2011, ku skuadra e tij u mposht me shifrat 3-1 nga Barcelona, në një sfidë që u luajt në Londër e ku të gjithë prisnin që “djajtë e kuq” të bënin diçka më shumë. Ferguson ka peng një vendim që nuk mori atë natë për të vendosur koreanin Park Ji-sung, të cilin e sheh si një ndër lojtarët më të nënvlerësuar në historinë e futbollit botëror, që të mbulonte një për një Mesin.

“Ai është momenti kur unë humba finalen ndaj Barcelonës në Uembli”, u shpreh Ferguson gjatë një interviste me Geri Nevil. “Duhej të kisha ndryshuar në pushimin e ndeshjes dhe të vendosja Park Ji-Sung të mbulonte Mesin. Ai ishe një gabim… Po mendoja ta bëja këtë gjë në pushimin e ndeshjes, por pastaj thashë “sapo barazuam para pushimit, ata mund ta shohin ndeshjen në një mënyrë tjetër, ne mund të përmirësohemi në këtë ndeshje”.

Ne ishim në fakt shumë të mirë në 10 minutat e fundit të asaj pjese. Ishim në ritëm dhe mund të ishim në avantazh. Por nëse do të vendosja Park të mbante Mesin, mendoj se do t’i kishim mposhtur, e mendoj realisht”, tha Ferguson.

Finalja e vitit 2011 u vendos pikërisht nga Mesi. Pas pjesës së parë me gola të Pedro për katalanasit e Runi për anglezët, në të dytën ishte Mesi i cili kaloi në avantazh ekipin e tij me një gjuajtje nga distanca, para se të pasonte për David Vilën i cili vulosi shifrat 3-1.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat