Gabimi i Mullerit

Futboll

Gabimi i Mullerit

Më: 3 korrik 2021 Në ora: 15:31
Gabimi i Mullerit

Ndeshjet e futbollit, por edhe në sporte të tjera, mund të varen nga një veprim i vetëm. Një gol i shpërdoruar apo i shënuar mund të bëjë diferencën mes një fitoreje të bujshme apo një disfate që djeg. E provoi në kurriz Thomas Muller, që është gjendur nga të dy anët e medaljes në dy ndeshje të rëndësishme.

Në vitin 2014, në finalen e Botërorit, në Brazil, gjermani pa Gonzalo Higuainin të dilte një për një me Manuel Neuer dhe pastaj të gabonte një shans që me shumë mundësi do t’i kishte dhuruar Kupën e Botës Argjentinës. Në 1/8 e Euro 2020, kundër Anglisë, i takoi atij të kishte mundësinë për të barazuar ndeshjen, por gaboi në mënyrë të bujshme, pasi e dërgoi topin jashtë portës së mbrojtur nga Pickford.

Një gabim që e ka munduar shumë Mullerin, siç deklaroi vetë teksa kërkoi falje në Instagram, por tani ndoshta një lajm që vjen nga Izraeli mund t’i heqë ndjesinë e fajit bavarezit. Po, është e vërtetë që gaboi një gol që dukej i bërë, por mund të mos jetë faji i tij. Të paktën nëse dëgjon fjalët e iluzionistit, Uri Geller, që po kërkon të marrë meritën e atij gabimi kolosal të futbollistit gjerman.

Geller, që ka pasaportë britanike, është i famshëm që në vitet 70 për aftësinë e tij, veç të tjerash, për të përthyer lugët apo pirunjtë me forcën e mendimit. Tani ka shpjeguar për mediat izraelite, që nga Tel Avivi, ku jeton, se ndërhyri me mendimin e tij për të kushtëzuar gabimin e Mullerit, një lloj psiqiku, siç të paktën pretendon, teksa shprehet.

“Nuk ka dyshim se jam unë përgjegjësi. Isha gati për të hyrë në skenë, isha pas perdes dhe kunati im po shihte ndeshjen në telefon, edhe saksofonisti po shihte ndeshjen dhe mund t’ju garantoj se kur Muller goditi, unë thashë me forcën e mendimit: një, dy, tre, përthyhu! Kur pashë që Anglia fitoi, dola në skenë dhe të gjithë më duartrokitën. Nëse shikoni përsëritjen e rastit, do të surprizoheni nga ajo që do të shihni. Fuqia e mendjes është e pafund”.

Të jetë e vërtetë vallë? Aq sa për të gabuar një gol që dukej i bërë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat