Alia, një tjetër portier kuqezi gati për portën shqiptare

Futboll

Alia, një tjetër portier kuqezi gati për portën shqiptare

Më: 4 korrik 2021 Në ora: 11:34
Alia, një tjetër portier kuqezi gati për portën shqiptare

Duket se porta shqiptare për vitet në vijim do të jetë e sigurtë, duke pasur parasysh elementët e rinj që janë pjesë e ekipeve Kombëtare. Një ndër to është edhe talenti shqiptar i lindur në Itali, Marco Alia, i cili luan në radhët e ekipit të Lazios.

Portieri kuqezi është miqësuar me futbollin që në një moshë fare të vogël, ndërsa prej kohësh është edhe pjesë e ekipeve Kombëtare të moshave.

Të ardhmen e Shqipërisë në arenën e futbollit ndërkombëtar e sheh të ndritur, ndërsa kujton në këtë intervistë të dhënë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org edhe ftesën e ardhur nga Kombëtarja dhe debutimin me ngjyrat kuqezi. Më poshtë mund të lexoni rrëfimin e Aliajt, i cili flet për sakrificat që ka bërë për futbollit, ecurinë me klubin dhe ekipet Kombëtare, momentet më të lumtura gjatë karrierës së tij, synimet për të ardhmen si dhe modelin që ndjek në futboll.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Falë babait tim, unë kam nisur të luaj futboll. Ka qenë ai faktori kryesor që unë jam pjesë e fushës së gjelbërt sot, pasi që kur isha 1-2 vjeç, ai më merrte nga dora dhe më dërgonte në fusha futbolli, ku më stërviste. Unë nuk e mbaj mend, pasi kam qenë fare i vogël, por shikoj fotot dhe shpeshherë dëgjoj tim atë që flet se si unë e gjuaja topin e futbollit, në atë moshë. Ai më ka ndjekur gjithmonë dhe është pjesë e këtij rrugëtimi që unë po ndjek sot. Pa dyshim, edhe mami im ka ndikuar. Besimi që më është dhënë nga ata, ka qenë arsyeja kryesore pse unë jam ky që jam sot. I falënderoj përmes kësaj interviste.

– Tashme je pjesë e ekipeve Kombëtareve të moshave. Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në Kombëtare? Po për ecurinë me klubin çfarë mendon? A je i kënaqur?

Po, jam prej kohësh pjesë e ekipeve Kombëtare të moshave. Kemi bërë mirë deri tani, qoftë me ekipet zinxhir, por shikoj që edhe ekipi A ka bërë punë shumë të mirë dhe uroj të bëhem sa më shpejt pjesë e tyre. Edhe me klubin ndihem mirë, stërvitem me djemtë, jam me fat që jam pjesë e Lazios. Grupi, edhe te Kombëtarja por edhe te Lazio, është shumë i mirë. Edhe trajnerët dhe stafet teknike sillen shumë mirë. Janë shtysë e madhe që të vijosh drejt kësaj rruge.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi? (debutimi me ekipin kombëtar te moshave)

E dëshiroja prej kohësh këtë ftesë, pasi gjithmonë kam ëndërruar të vishja fanellën kuqezi dhe të përfaqësoja këto ngjyra. Është një ëndërr e realizuar për mua veçanërisht, por edhe për familjen time që gjithmonë ka qenë dhe është me mua në këtë rrugëtim. Debutimi ka qenë vërtetë special, emocionohem gjithmonë kur e kujtoj.

– Si e shikoni të ardhmen e ekipeve Kombëtare duke pasur parasysh brezin e lojtarëve që kemi aktualisht? 

Siç e thashë edhe më sipër, kemi ende shumë punë për të bërë, por duke pasur parasysh djemtë e rinj dhe të talentuar që stërviten sot në klube të mëdha europiane, por edhe në klubet shqiptare, besoj se e ardhmja është e sigurtë.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaret e moshave dhe me klubin.

Me Kombëtaren do të konsideroja momentin më të lumtur fitoren e fundit në transfertën e Andorrës, ku luajtëm ndeshjen e parë të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023 dhe uroj të vazhdojmë të luajmë me këtë ritëm. Ndërsa me klubin, do të veçoja kalimin te tetëshja në UEFA Champions League.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

Për moshën që kam, konsideroj si sakrificë shumë të madhe kohën që i kushtoj futbollit dhe jo familjes e miqve të mi. Udhëtoj çdo ditë për të qenë i pranishëm në fushën e stërvitjes, vetëm për të luajtur futboll. Për disa mund të duket çmenduri, por për mua është kënaqësi.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

Synimi im është që të arrij sa më lart në futboll normalisht, si edhe të debutoj sa më shpejt me Kombëtaren A.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?

Idhull nuk mund të them, por ndjek shumë portierin gjerman, Manuel Neuer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat