Gëzim Daka - lojtar e pjesëtar i UÇK-së në Gjeneratën e Republikës: Na ndalën autobusin e klubit dhe na nxorën...

Futboll

Gëzim Daka - lojtar e pjesëtar i UÇK-së në Gjeneratën e Republikës: Na ndalën autobusin e klubit dhe na nxorën...

Nga: Kemajl Goca Më: 9 korrik 2021 Në ora: 19:42
Gëzim Daka - lojtar e pjesëtar i UÇK-së në Gjeneratën e Republikës: Na ndalën autobusin e klubit dhe na nxorën...

Sportistët shqiptarë nuk kursyen asgjë nga vetja për të mbajtur gjallë sportin në vitet e 90-ta (1991-1999). 

Çdo ditë u përballen me terrorin e agresorit serb, por asnjëherë nuk u dorëzuan duke i zhvilluar garat me sukses në kuadër të Republikës së Kosovës, në fusha dhe salla të improvizuara.

Gëzim Daka i takon Gjeneratës së Republikës, futbollist i dëshmuar dhe me sukses u paraqit në petkun e KF Gjakovës.

Image

Daka si shumë sportistë të tjerë, shumë herë ishte në shënjestër të regjimit serb, por në asnjë formë nuk u frikësua dhe nuk u ndal në misionin e tij.

Ai përveç si kapiten i skuadrës, futbollist i dalluar, ka veshur edhe uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) në periudhën 1998-1999. Përveç si futbollist, edhe me pushkë e luftoi regjimin kriminal serb.

Ish futbollisti kujton një moment interesant të viteve të 90-ta, se si milicia serbe i torturoi gjatë një udhëtimit për të zhvilluar një ndeshje. 

“Na ndalën autobusin e klubit dhe na nxorën nga aty, udhëheqësin e rrugës z. Sadik Bycin, trajnerin tash të ndjerë z. Flamur Valën dhe mua si kapiten i klubit, na morën në pyetje dhe na maltretuan në mënyrat e tyre me psikike. Po nga ne asnjëri nuk ka pranuar ato gjëra që ata i kërkonin.  

Kjo është njëra ndër shumë ato situata jo të këndshme për secilin sportist të asaj kohe”, tregon Daka për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Daka tregon se në cilën zonë ka qenë në vijë të frontit kundër pushtuesit serb.

“Në Zonën e Dukagjinit pikërisht me djemtë e Gjakovës në fshatrat Dobrosh, Berjah, Rekë e Keqe, Lugun e Cernagojit, si dhe në qytetin e Gjakovës me brigadën ‘137 Gjakova’”, thotë Daka. Ai e ndjen veten me fat që i takoi gjeneratës së sakrificës po ashtu që e veshi edhe uniformën e UÇK-së.

Sot është trajner i futbollit dhe vazhdon kontributin e tij si gjithmonë për futbollin dhe sportin në përgjithësi. 

Dakës i bëhet zemra mal kur sot i sheh të rinjtë e të rejat duke lozur në stadiumet dhe palestrat sportive, të cilat objekte ishin të uzurpuara nga bandat dhe milicia e pushtuesit serb në vitet e 90-ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat