Italia, kjo kombëtare sa cinike aq edhe e bukur

Futboll

Italia, kjo kombëtare sa cinike aq edhe e bukur

Më: 11 korrik 2021 Në ora: 11:16
Italia, kjo kombëtare sa cinike aq edhe e bukur

Italia, kjo kombëtare sa cinike aq edhe e bukur, në fakt kjo e fundit është edhe fjala më e përshtatshme për ta për përshkruar skuadrën e Roberto Mançinit. Në fazën e grupeve ajo befasoi këdo me një lojë spektakolare dhe tërheqëse.

Çfarë duhet të kërkonte më shumë një tifoz italian teksa shihte skuadrën e tij në Romë?! Ndaj Anglisë në finale do të jetë një sfidë shumë ndryshe, për vetë faktin që është një finale. Aty ku do të luhet për gjithçka. Favoritët? E vështirë të thuash, edhe pse në fund fiton ai që taktikisht ka përgatitur më mirë ndeshjen, dhe kjo në të gjitha aspektet.

TAKTIKA – Italia që kemi parë deri tani nuk ishte ajo e katenaços, edhe pse ndaj Spanjës iu desh të mbrohej, kjo për meritë të kundërshtarit. Ishte skuadra italiane ajo që shënoi e para, eh, si mund ta quash katenaço? Një fjalë të cilën e kemi dëgjuar shumë dhe e kemi parë shumë herë në të shkuarën. Por kjo nuk është skuadra e Mançinit, i cili edhe pse vjen nga një shkollë italiane, sukseset e para i kishte në Angli, te Mançester Siti, aty ku mësoi se si luhej futbolli i vërtetë. Këta të fundit ai do të kërkojë t’i mundë me stilin e tyre, me futboll të hapur dhe pasionant. Pasioni nuk do të mungojë dhe nuk ka munguar gjatë turneut tek “Axurrët”, diçka të cilën mund ta dallosh që në këndimin e himnit. Tenorë të vërtetë, nga ata të cilët zëri u dëgjohet edhe jashtë stadiumit. Por në “Wembley” kërkohet një zë më i lartë, për të mos u mbytur në jehonën e tifozëve anglezë të cilët janë të etur për një trofe. Taktika? Ah po, taktika. Kjo ishte një nga taktikat që do të përdoret.

PENALLTITË – Një element i rëndësishëm në futbollin e sotëm dhe sidomos kur bëhet fjalë për një finale. Momente në të cilat pulsi i zemrës tek ai që gjuan, ai që pret dhe te tifozët shkon mbi normalen. Një emocion i cili i jep kuptim gjithçkaje, vetë ekzistencës së lojës më popullore në botë. Italianët janë specialistë në goditjet nga pika e bardhë, ashtu siç janë në gatimin e makaronave të famshme. Qetësi dhe vetëbesim, gjithçka që duhet për të fituar në momente të tilla, fati sigurisht është një element i rëndësishëm, por përderisa atë nuk mund ta kontrollosh, është më mirë të mendosh për diçka tjetër.

MENTALITETI – Gjendja fizike, mentaliteti, dhe shpirti i garës është risia e italianëve në këtë turne. Elementi forcë që është parë dikur te gjermanët por tani është trashëguar edhe në vendin e çizmes së madhe në hartën e Europës. Italianët kanë mësuar shpejt dhe për më tepër kanë perfeksionuar detaje të rëndësishme, edhe pse më parë nuk i kanë zotëruar.

Forca fizike e cila do të jetë një aspekt kryesor në finalen e “Wembley”-t anon nga ana italianëve dhe kjo për një arsye, ata janë më të freskët psikologjikisht, kjo pasi freskia fizike buron nga ajo mendore. Përball një |Wembley| të mbushur plot, anglezët do të jenë të ngarkuar psikologjikisht për të mos menderosur një mundësi që vjen një herë në 55 vjet dhe Italianët janë të gatshëm të përfitojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat