Drejtuesit e FFK-së takuan udhëheqësit e Doganës në Prizren 

Futboll

Drejtuesit e FFK-së takuan udhëheqësit e Doganës në Prizren 

Më: 5 gusht 2021 Në ora: 10:19
Drejtuesit e FFK-së takuan udhëheqësit e Doganës në Prizren 

Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu janë takuar me drejtuesit e Doganës së Kosovës nga Departamenti Rajonal i Prizrenit, z. Shefqet Berisha, udhëheqës i Departamentit Rajonal të Prizrenit dhe z. Fisnik Visoka, udhëheqës i ZBD-së në Prizren. Me këtë rast drejtuesit e FFK-së e falënderuan Doganën e Kosovës, e sidomos këtë departament për bashkëpunimin e mirë ndërmjet dy institucioneve, si dhe për përkushtimin dhe ekspeditetin e treguar në rastet kur kanë ardhur dërgesat për FFK-në.

Presidenti Ademi theksoi se Dogana e Kosovës, përkatësisht Departamenti Rajonal i Prizrenit gjithmonë është përkujdesur për përshpejtim të procedurave për pajisjet që kanë ardhur për FFK-në, e sidomos në periudhën e fundit kur kanë ardhur makinat e sistemit VAR, prandaj edhe vizita e sotme ka qenë pikërisht shenjë falënderimi për punën dhe gatishmërinë e treguar për ta mbështetur FFK-në.

Në anën tjetër, udhëheqësit doganor në Prizren u shprehën falënderues për vizitën dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të qenë gjithnjë në shërbim të FFK-së dhe Kombëtares së Kosovës sa herë që ka nevojë.

Ata njëherësh e lavdëruan punën që po e bëjnë drejtuesit e FFK-së dhe  shprehën kënaqësinë dhe krenarinë që po ua jep ekipi Kombëtar me paraqitjet në fushën e gjelbër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat